Autor: Mirlind Behluli
Më 22 mars, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh kryeministër i Kosovës duke marrë 67 vota të deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit. Por, 11 deputetët e Listës Serbe, parti që në Qeverinë Kurti II përfaqësohet me Goran Rakiqin, ministër për Komunitete dhe Kthim, votuan kundër formimit të saj.
Në fjalimin e tij, Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, tha se arsyeja e mospërkrahjes së Kurtit lidhet me çështjen e ndarjes së ministrive.
Simiq pretendoi se në këtë përbërje të Qeverisë, Kushtetuta e Kosovës i garanton partisë që përfaqëson serbët në Kuvend dy ministri, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
“I nderuari mandatar, rasti i parë për veprim dhe menjëherë e shkelët Kushtetutën. E dini mirë se Lista Serbe me 11 nënshkrime deputetësh ka të drejtë për 2 ministra nga komunitetet jo-shumicë dhe kjo jo si dhuratë e juaja apo e dikujt tjetër, por si diçka që na kanë dhënë qytetarët duke votuar në mënyrë legjitime dhe ligjore për Listën Serbe në zgjedhje. Këtë ua kemi thënë në takimet që i kemi pasur”, tha Simiq.
Tutje deputeti i Listës Serbe paralajmëroi se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese këtë rast.
“Lista Serbe nuk do ta mbështesë qeverinë dhe për më tepër do të dërgojmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese që ta mbrojmë të drejtën e popullit tonë”, tha Simiq.
Ndonëse nuk dihet se kur Lista Serbe do t’i drejtohet Kushtetueses, njohësit e saj, të kontaktuar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, thonë se nuk ka bazë kushtetuese për një rast të tillë.
Florent Muçaj, profesor universitar, deklaroi se Listës Serbe nuk i takojnë dy ministri nëse qeveria i ka mbi 12 ministri, ngase Kushtetuta parasheh që ministri tretë mund të përfaqësohet nga cilido komunitet jo shumicë.
“Nuk ka rast për në Gjykatën Kushtetuese mendoj unë. Në bazë të nenit 96.3 të Kushtetutës por edhe Planit Ahtisari (edhe pse ky plan nuk ka relevancë në aspektin pozitiv juridik në rendin kushtetues) komunitetit jo shumicë serb (Listës Serbe) nuk i takojnë dy Ministri në Qeveri, nëse janë mbi 12 ministra. Neni 96.3 e përcakton se ministri i tretë mund të përfaqësoje një nga komunitetet jo shumicë, cilido qoftë ai. Këtë logjikë e ndjek edhe Plani Ahtisari, sepse kjo normë kushtetuese është bartur blanko nga ky Plan kur është hartuar Kushtetuta. Komuniteti Serb e ka të garantuar në Qeveri vetëm një ministër, gjithnjë sipas nenit 96.3 të Kushtetutës”, tha Muçaj për Reporteri.net.
Njëjtë mendon edhe Ditar Kabashi, njohës i së drejtës kushtetuese, i cili shton se caktimi i ministri i tretë nga komunitetet jo shumicë mbetet në diskrecionin politik të kryeministrit.
Ai thotë se kjo çështje rregullohet nëpërmjet nenit 96 të Kushtetutës së Kosovës.
“Nga teksti i Kushtetutës dalin dy përfundime: së pari, kur Qeveria përbëhet nga më shumë se dymbëdhjetë ministra (siç u zgjedh më 22 mars), atëherë duhet të ketë një ministër të tretë nga komunitetet joshumicë, por nuk përcaktohet cili komunitet. Kjo domethënë se mbetet në diskrecionin politik të kryeministrit se cilin komunitet dëshiron ta përfshijë në kabinetin e vet ministror. Së dyti, vetëm në rast se një kryeministri e propozon për ministër dikë që nuk është deputet, atëherë deputetët e atij komuniteti votojnë në Kuvend enkas për të, sikurse ka ndodhur me ministrin Goran Rakiq. E nëse kryeministri është konsultuar me komunitetit përkatës kur ka emëruar ministrin e tretë nga ana e komuniteteve, atëherë i bie se është plotësuar edhe kriteri kushtetues i konsultimit”, tha Kabashi, për Reporteri.net.
E për çështjen e hapave procedural në formimin e institucioneve, Kabashi thotë se i gjithë procesi fillon me konstituimin e Kuvendit si hapi i parë në zinxhirin e legjitimitetit kushtetues.
“Kusht paraprak për zgjedhjen e tyre është funksionalizimi i Kuvendit, gjegjësisht konstituimi i legjislaturës së re. Kjo gjë ka ndodhur tashmë dhe Kuvendi, si organ zgjedhës, zgjedh Qeverinë dhe Presidentin. Në kontekst juridik, duhet theksuar se nuk krijohen norma kushtetuese procedurale përmes interpretimit, aq më tepër kur çështja e përparësisë së zgjedhjes së Qeverisë e presidentit nuk kanë qenë objekt i kushtetutëvënësit. Në fakt, nuk do të ishte e natyrshme edhe të përcaktonte diçka të tillë meqenëse Qeveria ka mandat katërvjeçar kurse Presidenti, pesëvjeçar dhe nuk janë të ndërvarur me njëri-tjetrin në procesin e zgjedhjes”, tha Kabashi, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Qeveria Kurti II mori 67 vota pro dhe 30 kundër në seancën e 22 marsit të deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kurti u bë për herë të dytë kryeministër i vendit dhe në Qeverinë e tij janë gjithsej 15 ministra dhe 3 zëvendëskryeministra.
E sot ka filluar edhe procesi i emërimit të zëvendësministrave në Qeverinë Kurti II. /Reporteri.net/.