Serbia po shkel marrëveshjen e Ohrit në aktivitetin e saj diplomatik kundër njohjës së shtetit të Kosovës.
Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, ka reaguar pas lajmeve se ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka lobuar kundër njohjes së Kosovës në disa vende aziatike.
Vela tha se ai këto vizita po i bën në vendet që janë të ndikuara nga Rusia dhe këtë e quajti një veprim të dëshpëruar të tij.
“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus. Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën. Serbia do të shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë!”, ka shkruar Vela në Twitter.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në vizitën e tij në disa vende aziatike ka lobuar që për mosnjohje të Kosovës nga ato shtete.
“Vizita në Taxhikistan ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh, siç thashë gjatë vizitës në Uzbekistan dhe Kirgistan, se Serbia neglizhoi rajonin e Azisë Qendrore, i cili është shumë i rëndësishëm, ku janë pesë vende jashtëzakonisht miqësore dhe tradicionalisht të afërta me ne të cilat janë në anën tonë kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial”, tha shefi i diplomacisë serbe.
Serbia shkel marrëveshjen e Ohrit, Daçiq lobon kundër njohjes së Kosovës në vendet aziatike