×
  • Lajme
  • Lajme

    “Logjika i pari në garë është monarkiste”: Kurti thoshte se Qeverinë e krijon shumica, jo kush del i pari

    Reporteri
    22 Prill 2020 | 12:20

    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përgjatë një periudhe kohore prej 6 vitesh ka ndryshuar drastikisht qëndrimin e tij rreth asaj se si duhet interpretuar rezultati zgjedhor dhe procesit të krijimit të institucioneve të Republikës. Në vitin 2014 kishte thënë se s’ka fare rëndësi se kush ka dalë i pari në zgjedhje, por kush e krijon shumicën, meqë Kosova është Republikë parlamentare e demokratike. Megjithatë tashmë si kryeministër në detyrë thotë se LDK ska të drejtë të krijojë një shumicë, meqë s’ka dalë e para në zgjedhje. Insiston se pas rrëzimit të tij, zgjedhjet e reja janë rruga e vetme.


    Në një tryezë në tetorin e vitit 2014, Albin Kurti, thoshte se nëse në Kosovë nuk krijohen institucionet e reja nga shumica atëherë nuk ka kuptim as demokracia e as shteti.

    “Nëse shumica parlalmentare nuk i formon institucionet në Republikën e Kosovës, atëherë cili është kuptimi i Republikës dhe demokracisë”, kishte theksuar Kurti.

    Kurti atë kohë kishte deklaruar se nuk ka rëndësi fare se kush del i pari në zgjedhje por kur e krijon shumicën parlamentare për të krijuar institucionet e reja, pasi sipas tij Republika nuk është një garë me makina ku ai që del i pari e merr trofeun, shkruan Gazeta Express.

    Lideri i VV’së thoshte se zgjedhjet në Kosovë kanë të bëjnë me atë se kush e krijon shumicën e tërësisë dhe jo kush del i pari në garën zgjedhore.

    “Ata e mendojnë garën zgjedhore si një garë automobilistike, kush dul i pari me e marrë kupën. Por Republika nuk është garë automobilistike. Zgjedhjet demokratike në Republikë është kush e formon shumicën e tërsisë. Tërsia është cështja, e shumica është vendimarrja. Por jo kush është i pari në garë, po kush e formon shumicën”, thoshte Kurti.

    Pas kësaj, Kurti ka thënë se edhe në botë ka raste të shumta kur ai që ka dalë i pari nuk i krijon dot institucionet dhe se dalja si i parë nuk i shërben për asgjë.

    “Ka pafund raste në shtetet tjera anë e mbanë botës ku parti e parë nuk arrinë me e kriju shumicën dhe kot është e para, se republika e tillë është republikë parlamentare e demokratike”, potenconte Kurti.

    Sipas tij logjika se i pari duhet t’i krijojë patjetër institucionet është një logjikë monarkiste, që nëse vdes mbreti si i parë , pas tij vjen pasardhësi.

    Megjithatë tashmë Kurti ka ndryshuar plotësisht qëndrim kur pas rrëzimit të tij, Lidhja Demokratike e Kosovës po provon të krijojë një shumicë parlamentare për themelimin e institucioneve të reja.

    Sipas kryeministrit në detyrë nuk mund të ketë një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve. Nga partia e tij insistojnë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm, pas rrëzimit të Kurtit me një mocion mosbesimi të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Aktualisht presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar 3 letra Kurtit për t’i dërguar një mandatar për kryeministër, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë si parti e dytë ka shprehur gatishmëri që të krijojë institucionet e reja me një koalicion me AAK’në dhe NISMA’n dhe mbetet të shihet nëse presidenti i Kosovës do t’i japë një mundësi të tillë partisë që drejton Isa Mustafa për të shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja.

    Se presidentit i lejohet që të krijojë institcionet e reja duke shfrytëzuar legjislaturën aktuale në rast të realizimit me sukses të një mocioni mosbesimi, e kishte thënë vitin e kaluar edhe Durim Berisha në një analizë të publikuar në kohën ditore. Megjithatë Berisha meqenëse tash i shërben Kurtit si këshilltar juridik, thotë se zgjedhjet janë rruga e vetme, derisa për analizën e tij të shkruar në vitin 2019 ka thënë se nuk e ka rilexuar dhe se ka qenë e pa përfunduar mirë.

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shkëputur bashkëpunimin vetëm pas 52 ditësh qeverisje pas mospajtimeve të shumta rreth çështjeve me rëndësi siç janë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, taksën dhe dialogun me Serbinë. LVV e drejtuar nga Kurti kishte dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, derisa LDK me Vjosa Osmanin ishte renditur e dyta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!