Komuna e Junikut është në fazën përfundimtare të asfaltimit të pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave, një projekt madhor infrastrukturor i nisur gjatë mandatit aktual të kryetarit Ruzhdi Shehu. Sipas tij, ky investim i vonuar prej vitesh, po realizohet me përkushtim dhe transparencë, duke përmirësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe social.
“Ky është një projekt që është dashur të realizohej më shumë se 12 vite më parë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Gjatë mandatit tonë të parë, ne e bëmë realitet,” ka deklaruar Shehu në një postim publik, duke nënvizuar rëndësinë që ka infrastruktura rrugore për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe për zhvillimin e përgjithshëm të komunës.
Shehu, i cili garon për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, u shpreh se përkundër bashkërendimeve të kundërshtarëve të tij politikë, ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të punojnë me duar të pastra dhe me përkushtim të sinqertë për të mirën e qytetarëve.
“Derisa të tjerët po krijojnë fronte të përbashkëta për të ndarë përvoja dhe interesa personale kundër LDK-së në Junik, ne do të vazhdojmë me punë të ndershme dhe projekte konkrete që sjellin ndryshim të vërtetë për qytetarët,” theksoi ai.
Sipas kryetarit aktual, 12 tetori do të jetë një ditë feste për qytetarët e Junikut, të cilët, siç tha ai, nuk do të lejojnë që interesat personale të pak individëve të mbizotërojnë ndaj interesit të përbashkët të komunës.