Ardijan Berisha është kandidat për Asamblenë Komunale të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, ku garon si pjesë e listës Guxo dhe mban numrin 40 në fletëvotim.
Me energjinë dhe vizionin e tij për zhvillim, Berisha synon të përfaqësojë qytetarët e kryeqytetit në mënyrë dinjitoze, duke kontribuar në transparencë më të madhe, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.
Ai thekson se angazhimi i tij do të fokusohet në sjelljen e ndryshimeve pozitive në Prishtinë, për një qytet më funksional dhe më të përshtatshëm për të gjithë qytetarët.
“Ky hap është një përgjegjësi e madhe për mua, sepse për herë të parë duam që edhe komuniteti ynë të ketë një zë të fuqishëm brenda vendimmarrjes. Zëri ynë ka munguar për shumë kohë, por tani kemi mundësinë të jemi aty ku merren vendimet që ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Kandidatura ime është për barazi, përfaqësim dhe të ardhme më të mirë për të gjithë: për fëmijët tanë, për të rinjtë që kanë nevojë për mundësi, për familjet që kërkojnë kushte më të mira jetese, dhe për një Prishtinë ku askush nuk mbetet pas.”, ka thënë Berisha.