Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është: 2,069,098 votues. Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 2,025,105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.
Në një mbledhje të mbajtur sot, KQZ po ashtu mori vendim për miratimin e përmbajtjes dhe dizajnit të fletëvotimeve për çdo komunë për Zgjedhjet Lokale 2025.
KQZ ka publikuar tabelën me numrin e votuesve nëpër komuna. Prishtina është komuna me numrin më të madh të votueseve, gjithsej 224,053 votues, pasuar nga Prizreni – 191,752 votues, Ferizaj – 125,865 votues, Gjakova – 124,909 votues, Peja – 122,909 votues, Gjilani– 109,920 votues, Mitrovica – 85,893 votues, e të tjerë./Reporteri.net/
