Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka shprehur mbështetjen e tij për Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij në kryeqytet.

Xhaferi që ka qenë drejtor në Komunë, theksoi se gjatë periudhës sa ka udhëhequr si Drejtor i Investimeve Kapitale, Prishtina ka njohur një transformim të madh, me qindra projekte infrastrukturore që kanë ndryshuar fytyrën e qytetit.

“Vetëm gjatë mandatit tim kemi arritur të realizojmë rreth 700 rrugë në kryeqytet. Vetëm në vitin 2023 janë menaxhuar mbi 300 kontrata aktive, duke përfshirë projekte madhore që kanë sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët tanë,” ka thënë Xhaferi.

Reklamë

Ai përmendi edhe disa nga projektet kryesore të realizuara, si Rruga A, Rruga B, Unaza e Qytetit, Rruga “Nekibe Kelmendi”, Unaza e Brendshme, projektet në lagjet Ulpiana e Dardania, kolektorin në Kalabri, si dhe një varg rrugësh e hapësirash publike në lagje e fshatra të ndryshme të Prishtinës.

“Prishtina e meriton LDK-në dhe Kryetarin Përparim Rama, sepse me LDK-në punohet, ndërtohet dhe ecet përpara,” shtoi deputeti.

Xhaferi tha se projektet e realizuara nuk janë vetëm numra në letër, por investime konkrete që sot i shohin dhe i shfrytëzojnë qytetarët e kryeqytetit.