Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka shprehur sot mbështetjen e saj për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala.
Gjatë një vizite në Suharekë, Bajrami së bashku me Shalën kanë zhvilluar një takim me gra të komunës, ku është diskutuar për fuqizimin e rolit të tyre në vendimmarrje.
“Sot, bashkë me znj. Hykmete Bajrami dhe Forumin e Gruas të nëndegës, takuam shumë gra të qytetit të Suharekës, me të cilat biseduam për sfidat dhe mundësitë e tyre në jetë e biznes. Deputetja Bajrami theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave në vendimmarrje dhe bëri apel që të mos mbështeten ata që keqpërdorin taksat e qytetarëve,” ka shkruar Shala.
Ai ka bërë të ditur se, bashkë me Bajramin, kanë vizituar edhe disa biznese të udhëhequra nga gra.
“Vizituam biznesin eksportues Dimali-Tex, në pronësi të znj. Mimoza Kuçi, që ka të punësuara mbi 60 gra dhe eksporton produktet e veta në Gjermani, si dhe biznesin Sofër n’Shesh, në pronësi të znj. Shqiponja Bujari-Berisha, që ka kthyer traditën e kuzhinës sonë në zemër të qytetit. Suhareka ka gra të guximshme e vizionare, shembuj frymëzues që na motivojnë të punojmë edhe më shumë për fuqizimin e tyre në jetën publike, sociale dhe ekonomike,” ka deklaruar Shala.