Ruzhdi Shehu, kryetar i Komunës së Junikut, i cili synon një mandat tjetër, ka folur lidhur me projektet që ka realizuar gjatë mandatit të parë. Ai ka thënë se ka dëshmuar se i mban premteimet dhe se dallimi i tij me kundërkandidatët është sepse ka program politik. 

Ai ka thënë se gjatë këtyre katër viteve, Juniku ka përjetuar ndryshim të madh, teksa si projektin më madhor e ka përmendur Parkun Solar, që do të jetë investim në vlerë 42 milionë euro në Junik.

“Vitet e fundit, Juniku ka dëshmu ndryshim të madh. Janë asfaltuar rrugët kryesore, po vazhdojmë me punimet për ndërtimin e unazës së qytetit, kemi hartu master planin për Bjeshkët e Junikut, kemi funksionalizu shërbimet shëndetësore 24 orë në ditë, dhe 7 ditë në javë, kemi ndërtu çerdhe për fëmijë, kemi mundësu transport falas për nxënës dhe bursa për student. Kemi sjellë projekte madhore, si Parkun Solar i cili do jetë investim 42 milionësh nër Komunën e Junikut”, ka thënë Shehu.

Reklamë

Vizioni për katër vitet e ardhshme thotë se është edhe më i madh, teksa ka përmendur projektet që synon t’i realizojë.

“Në mandantin 2026-2029 do të ndërtojmë sheshin e ri “Edmond Hoxha”, do të ndërtojmë drenazhe për rritje të kapaciteteve me furnizim me ujë të pijes, do të ndërtojmë fusha sportive në shkolla fillore. Në turizëm do të bëhet shenjëzimi i shtigjve dhe digjitalizim të plotë të shtigjeve malore”.

Ai ka folur edhe për investimet e planifikuara në fushën e shëndetësisë.

“Në QKMF do të ndërtojmë ashensorë për personat me aftësi të kufizuara, do të mbulojmë shpenzimet shëndetësore për të sëmurit kronik, do të japim subvencione për lehonat dhe do të mbulojmë shpenzimet për varrimet”, ka deklaruar Shehu.

Reklamë