Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkuar sot në Suharekë për të përkrahur kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Ardian Shalën. 

Në një takim me strukturat udhëheqëse dhe aktivistët lokalë, Shala u shpreh se Suhareka meriton një qeverisje transparente dhe pranë qytetarit, duke shtuar se vetëm bashkimi dhe angazhimi i secilit mund ta sjellë fitoren.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Suharekë Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në një takim mobilizues me strukturat udhëheqëse dhe aktivistët tanë të palodhur. Besojmë fuqishëm se Suhareka meriton një qeverisje të përgjegjshme, transparente e prosperuese. Gjithmonë pranë qytetarit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me bashkimin dhe angazhimin e secilit prej nesh. Me përkushtim, vizion dhe besim në njëri-tjetrin, jemi të gatshëm për fitore!”, ka thënë Shala.

Abdixhiku dhe Shala vizituan edhe familjen e Sami Elshanit, ku u pritën me mikpritje tradicionale. Shala e cilësoi këtë familje si shembull të qëndresës e përkushtimit ndaj vendit dhe shtoi se përkrahja e tyre është e vlefshme për rrugëtimin e LDK-së në Suharekë.