×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lokalet 2025 / Reagimi

    Murati: Vjedhja e votave ndodhte në bastione të PDK-së, para se VV-ja të hynte në garë

    Reporteri
    11 Nëntor 2025 | 10:15

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova prej vitesh njihet për zgjedhje të lira e pa probleme të theksuara.

    Ai tha se për këtë meritë të madhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje, me komisionerët dhe vëzhguesit e saj që kanë mbrojtur votën ndër vite.

    Murati shtoi se para përfshirjes së Vetëvendosjes në garat zgjedhore, proceset shoqëroheshin me “vjedhje industriale të votave”, kryesisht në bastionet e PDK-së. Ai e quajti “turp” përpjekjen e kësaj partie për të kërkuar shfajësim pas dështimeve të saj.

    Reagimi i plotë:

    Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.

    Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.

    Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.

    Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.

    Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.

    Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.

    Turp!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!