Gara për kryetar të Komunës së Gjakovës këtë vit pritet të jetë më e nxehtë. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), një partnere tradicionale e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila aktualisht udhëheq në këtë qytet, ka vendosur të hyjë në garë me kandidatin e saj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kandidati i PSHDK-së, Anton Shala, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me nder dhe përgjegjësi të madhe, sot prezantoj kandidaturën time për kryetar të Komunës së Gjakovës. Qëllimi im është të punoj për një Gjakovë më të fortë, më të drejtë dhe më transparente. Si qytetar i këtij komuniteti, i njoh nga afër sfidat me të cilat përballen familjet, bizneset, infrastruktura dhe institucionet tona,” ka shkruar Shala.
Ai ka theksuar se qeverisja e tij do të ketë në qendër qytetarin, duke e konsideruar atë partnerin kryesor në marrjen e vendimeve.
Sipas tij, programi i PSHDK-së nuk është vetëm një vizion politik, por një plan konkret veprimi për ta bërë Gjakovën një vend ku secili ndjehet i sigurt, i respektuar dhe me mundësi të vërteta për të ardhmen.
“Ju ftoj të bashkoheni me ne dhe t’i japim zë komunës sonë, për të ndërtuar së bashku një Gjakovë më të mirë për të gjithë,” ka përfunduar ai.
Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor. Në garë për kryetar të Gjakovës janë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që garon edhe për një mandat, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefqet Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Ervin Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës./Reporteri.net/