Dega e PDK’së në Drenas ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nisin hetime, pasi kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i është publikuar një audio-incizim, ku flet për ndërtime milionëshe në pronë të komunës.
Në postim thuhet se çdo ditë që kalon pa hetim është rrezik për qytetarët dhe një fyerje për drejtësinë.
Sipas PDK’së, një nga elementet më shqetësuese në audo-incizim është çështja e mbi-ndërtimit mbi pronë publike.
“Pjesa e incizimit është fakti se vetë kryetari në ikje i komunës, jo vetëm që nuk e pengon, por e inkurajon mbi-ndërtimin e paligjshëm mbi 4 mijë metra katrorë pronë publike. Madje është shumë skandaloze ta arsyetojë këtë shkelje flagrante të ligjit si rritje të vlerës për ‘interes publik’, ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërta: vlera po i rritet vetëm xhepave të kryetarit të komunës dhe profiterëve të rrethit të tij të ngushtë, duke e shndërruar pronën e qytetarëve në valutë private pazari. Prona publike nuk është valutë pazari. Mbi-ndërtimi nuk mund të legalizohet me marrëveshje private”, thuhet në reagim.
Sipas PDK’së, “bëhet fjalë për një strukturë të organizuar që ka ngritur sistem pazari mbi pasuritë publike dhe tokat komunale, duke i trajtuar ato si mall privat për biznese të shpejta.”