Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar si të pabazuar ankesën e AAK-së, degës në Junik, lidhur me listën e votuesve në këtë komunë.
Shehu tha se me këtë vendim janë rrëzuar të gjitha pretendimet e AAK-së në instancat gjyqësore, duke theksuar se “propaganda e tyre mori përgjigjen e duhur ligjore”.
“Sot edhe Gjykata Supreme si instanca më e lartë gjyqësore në shtetin e Kosovës ka publikuar vendimin AA.nr.100/2025, përmes të cilit po ashtu e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit AAK dega në Junik. Me fjalë të tjera, pretendimet e tyre ankimore janë refuzuar në të gjitha instancat kompetente gjyqësore”, ka shkruar Shehu.
Ai shtoi se AAK “nuk e dëshiron demokracinë dhe është kundër ligjshmërisë”, duke theksuar se qytetarët e Junikut do të japin përgjigjen përfundimtare më 9 nëntor, në kutitë e votimit.
“Juniku është i junikasve. Asnjë propagandë nuk mund ta kthejë Junikun në vitet 2009–2021, periudhë kur ka qenë nën kthetrat e atyre që as nuk janë të Junikut dhe as nuk shqetësohen për nevojat e qytetarëve tanë. Kjo epokë ka përfunduar përgjithmonë”, tha Shehu.