Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, njëherit kandidat i LDK-së për një mandat të dytë në këtë komunë ka thënë se në balotazhin e 9 nëntorit, junikasit duhet të votojnë për programin e tyre të ndershmërisë dhe duarve të pastërta, shkruan Reporteri.net.
Ai përmes një postimi ka akuzuar qeverinë e kaluar se në vitin 2019 kishte nënshkruar kontrata me titull “Ndërtimi i Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes”, me vlerë të kontratës së nënshkruar në vlerë 777,777.77 euro, siç pohon me krejt 7she, sikurse Jackpoti në bixhoz.
“Problemi është që ky projekt nuk është përfunduar asnjëherë. Në fakt, edhe prona ku është filluar të ndërtohet objekti është në kontest pronësor. Pra cilat janë rezultatet sot, mbi 6 vite pas lidhjes së kësaj kontrate nga ish-kryetar Agron Kuçi”, ka shkruar Shehu.
Postimi i tij:
Të dashur junikas,
Buxheti i Komunës është i vogël ndërsa nevojat e Junikut janë të mëdha. Prandaj planifikimi i duhur është i domosdoshëm. Po ashtu, çdo kontratë e Komunës së Junikut duhet të nënshkruhet dhe ekzekutohet me ndershmëri dhe duar të pastërta.
Si shembull, në kohën e qeverisjes së kaluar, konkretisht në vitin 2019 është nënshkruar kontrata me titull “Ndërtimi i Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes”. Vlera e kontratës së nënshkruar është 777,777.77 euro. Pra krejt 7she, sikurse Jackpoti në bixhoz.
Problemi është që ky projekt nuk është përfunduar asnjëherë. Në fakt, edhe prona ku është filluar të ndërtohet objekti është në kontest pronësor. Pra cilat janë rezultatet sot, mbi 6 vite pas lidhjes së kësaj kontrate nga ish-kryetar Agron Kuçi.
Natyrisht që kjo kontratë ka qenë subjekt i trajtimit edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. E gjetura e auditorit është formuluar si në vijim “Kontrata ishte nënshkruar me një diferencë prej 612,777 euro më të lartë sesa vlera e planifikuar”. Pra Komuna i ka planifikuar 100,000 euro dhe kontrata “jackpot” është lidhur 777,777.77 euro (65,000 euro kanë qenë bashkëfinancim nga qeveria).
Në këtë kontratë, vetëm një tabelë informuese është paguar rreth 20,000
euro. Paramendoni, një tabelë që kushton 200 ose 300 euro është paguar rreth 20,000 euro. Ky është dallimi në mes të LDK-së dhe AAK-së në Junik.
Të dashur bashkëvendas,
Ka kaluar koha e Jackpoteve sikurse te rasti i kullës në Moronicë ose rasti i lumit Erenik. Asnjë patericë nuk mund t’i ndihmoj Agron Kuçit që sërish të vjen në pushtet për të shpëndarë jackpote të tjera, sikurse në 12 vitet e keq-qeverisjes së tij.
Prandaj me 9 nëntor, Juniku duhet të votoj për programin tonë të ndershmërisë dhe duarve të pastërta.