Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Astrit Bujupaj për kryetar komune të Istogut. Ai është dhëndër i pronarit të kompanisë “Mercom” e cila muajt e fundit është shpërblyer me kontrata multimilionëshe nga Qeveria Kurti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tre muaj më herët edhe e kishte vizituar këtë kompani që e paraqiste si një prej ndërmarrjeve të suksesshme në Republikën e Kosovës. Derisa, janë publikuar edhe kontratat e Qeverisë së Kosovës me kompaninë “Mercom”.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga mediumi “Frontonline“, del se një pjesë e madhe e Ministrive, shto këtu edhe Kuvendin e Kosovës dhe Presidencën, kanë marrë vetura në vlera qindra mijëra euro nga kompania e mikut të kandidatit të LVV-së.
Bazuar në regjistrin e të dhënave për bizneset të ARBK-së, pronar i “Mercom Company SHPK”, është Arif Elshani, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Tek kjo kompani, më shumë se 1.3 milion euro del se kanë shpenzuar vetëm disa Ministri të Qeverisë Kurti për blerjen e veturave zyrtare gjatë periudhës gjashtë mujore (janar-qershor 2025).
Bazuar në raportin 6-mujor të buxhetit të këtij viti, këto Ministri kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme financiare në blerjen e veturave zyrtare: Ministria për Kthim dhe Komunitete ka blerë 160,000 € vetura zyrtare, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka blerë 100,000 € vetura zyrtare, Ministria e Jashtme ka blerë 200,000 € vetura zyrtare, Ministria e Financave ka blerë 430,000 € vetura zyrtare, Ministria e Bujqësisë ka blerë 54,000 € vetura për inspektoratin e AUV-së, Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës ka blerë 240,000 € vetura për terren dhe testimin e kandidatëve, Ministria e Brendshme ka blerë 100,000 € vetura zyrtare.
Gjithashtu, sipas këtij raporti, Presidenca dhe Kuvendi blenë 332,000 Euro vetura zyrtare. Sipas raportit 6-mujor të buxhetit, Kuvendi i Kosovës në gjysmën e parë të këtij viti ka shpenzuar 212 mijë euro në blerjen e veturave zyrtare, ndërsa Zyra e Presidentes, Vjosa Osmani, ka shpenzuar 120 mijë euro vetura zyrtare për delegacione protokollare.
E për gazetarin Lavdim Hamidi, kandidimi i dhëndrit të pronarit të “Mercom” për kryetar të Istogut, nga radhët e VV-së, është skemë korruptive.
“Kjo është lidhja korruptive e VV-së: Miliona euro nga shteti per blerje te veturave, subvencione nga Ministria e Tregtise per pronarin e kompanise “Mercom”, Arif Elshani, ndërsa dhëndrri i tij është kandiduar për kryetar të Istogut nga VV-ja. Në Front Online se fundi i kemi realizuar disa hulumtime për kontratat milioneshe qe Qeveria Kurti ia ka dhene kompanise Mercom!”, shkruan Hamidi në Facebook.
“Kjo kompani ka marre gjithashtu edhe subvencione nga Rozeta Hajdari. Alo prokuroria”, përfundon gazetari kosovar.