×
  • Lajme
  • Lajme

    Lopët që u konfiskuan në aksionin e Karaçevës do të theren për të burgosurit

    Reporteri
    21 Shtator 2020 | 16:02

    120 lopë që u konfiskuan në mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë të Kamenicës do të theren për të burgosurit në burgjet e vendit.


    Se këto lopë do të theren për të burgosurit e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

    Gashi ka treguar se 59 lopë që janë konfiskuar atë natë, tashmë janë vendosur në shtallën e Qendrës Korrektuese në Dubravë.

    Gashi ka bërë me dije se i kanë kërkuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës që të dërgoi inspektorët veteriner që të marrin mostra të gjakut për analiza laboratorike rreth shëndetit të lopëve.

    “59 krerë lopësh që janë konfiskuar në aksionin e Karaçevës janë vendosur në shtallen e Qendrës Korrektuese të Dubravës. SHKK tashmë i ka kërkuar AVUK-ut të dërgoi inspektorët veteriner të autorizuar për marrjen e mostrave të gjakut për analiza laboratorike rreth shëndetit të lopëve. Mostrat janë duke u marr në këto momente”, ka thënë Gashi.

    Ai ka bërë me dije se sapo t’i pranojnë rezultatet e analizave, do të fillojnë me therrjen dhe se mishi i tyre do të përdoret për nevoja të kuzhinave nëpër burgje.

    “Sapo t’i kemi rezultatet, do të fillohet me therjen dhe mishi i tyre do të përdoret për nevojat e kuzhinave të institucioneve korrektuese”, ka deklaruar Gashi.

    Pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të premten mbrëma kanë realizuar një aksion në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.

    Nën këto dyshime, janë arrestuar mbi 30 persona dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

    Për të arrestuarit në këtë aksion, tashmë është caktuar masa e sigurisë prej një muaji paraburgim, derisa mishi i lopëve të konfiskuara do të shkojë nëpër burgjet e vendit. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!