Nënkryetari dhe deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri ka konfirmuar se do të jetë kandidat i kësaj partie për Kryetar të Gjilanit, shkruan Reporteri.net.
“Përderisa unë jam kryetar i Degës, jam kandidati i vetëm për Kryetar të Komunës dhe sot kemi hapur procesin për këtë. LDK në Gjilan ka unitet politik e funksional. Jemi një familje politike dhe kemi një qëllim të vetëm: rikthimin e madh të LDK-së në Komunën e Gjilanit. Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit!”, ka shkruar Haziri.
Tutje, ai ka thënë se në cilësinë e Kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ka paraqitur draftin final të Këshillit të Degës për rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit.
“Përkundër trendit pozitiv dhe konfirmimit për deputet në Kuvendin e Republikës, LDK në Gjilan po vazhdon tani përgatitjet për zgjedhjet lokale. Si Kryetar i Degës, kam pranuar komentet, kam miratuar analizën dhe raportin detaj të zgjedhjeve të fundit për Kuvend të Republikës, ndërkaq kemi filluar me procesin e përgatitjeve fillestare për zgjedhjet lokale. Bashkë me Kryesinë e Degës, do ta bëjmë listën më përfaqësuese ndonjëherë, e cila do ta sigurtonte rolin e liderit në nivel komunal, derisa kandidati për Kryetar të Komunës do të jetë konsensual e i praniueshëm për ta rikthyer LDK-në edhe në ekzekutiv”, ka shkruar Haziri.