×
  • Lajme
  • Lajme

    Lutfi Haziri tregon pse u takua me Agim Veliun

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 13:29

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se me deputetin Agim Veliu takohet sepse e ka mik dhe nuk takohet me të për të folur vetëm për politikë. Haziri për Gazetën Express u shpreh se asgjë nuk e ndal të takohet me Veliun dhe se ai ka pasur dhe do të ketë rol të pazëvendësueshëm në LDK.


    Pas takimit të kryesisë së LDK-së u raportua se Lutfi Haziri është takuar me deputetin Agim Veliu në një nga lokalet e Prishtinës. Tashmë dihet se Veliu është të paktën njëri nga deputetët skeptik të LDK-së për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente.

    E lidhur me këtë takim Lutfi Haziri i tha Gazetës Express se asgjë nuk e ndal që të takohet me Veliun pasi e ka shok dhe mik.

    “Agimin e kam mik dhe shok. Pse duhet vetëm për politikë të takohemi. Asgjë nuk na ndal me u taku sepse Agimi ka pasur dhe do të ketë rol të pazëvendësueshëm në LDK”, tha Haziri.

    Veliu e ka quajtur gabim të udhëheqjes së LDK-së që tërë presionin për zgjedhjen e presidentit ta marrë përsipër.

    “Është gabim i madh i udhëheqjes së LDK-së që e ka pru veten në këtë situatë që i gjitë presioni të bie mbi LDK-në për zgjidhjen e presidentit sepse LDK-ja është parti e tretë tash, është parti opozitare që nuk e ka përgjegjësinë Sigurisht ajo do të duhej të ishte temë e bisedës në tryeza të subjekteve politike, pozitë e opozitë në mënyrë që të ketë një pajtueshmëri për një kandidat cilido që ta merr mbështetjen e 2/3 ai zgjidhet, unë po them që do të ishte mirë që ta kemi një president me konsensus.”, tha Veliu për Express të premten.

    Ish-kryetari i Podujevës ka thënë se nuk ka vendosur nëse do ta votojë Vjosa Osmanin për shefe të shtetit. Këmbëngul se kur LDK-ja ta diksutojë këtë çështje, duhet të shohë se ku është përfitimi për partinë vota pro Osmanit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht është duke mbajtur mbledhjen e Grupit Parlamentar në zyrat e partisë.

    Kryetari Lumir Abdixhiku ka deklaruar pas takimit të parë me Vjosa Osmanin se votat e deputetëve të LDK-së për presidentin do të jenë në linjë me vendimin që e merr partia.

    Por ende nuk dihet nëse ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente marrë parasysh përplasjet që kanë pasur dhe raportet e acaruara mes tyre.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!