×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Maqedonci: Jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo rrezik, Radoiçiq dhe grupi i tij vazhdojnë të jenë të lirë

    Reporteri
    28 Nëntor 2024 | 7:29

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se një sulm i ngjashëm i Serbisë, sikur ai në Banjskë vitin e kaluar, mund të përsëritet.

    ‘’Përderisa Radoiçiq dhe grupi i tij vazhdon të jetë i lirë. Përderisa nuk ka një llogaridhënie nga Serbia, ne konsiderojmë që mund të ketë [sërish sulme të tilla]. Ne përgatitemi që të ballafaqohemi me çdo rrezik. Jemi të gatshëm që ta mbrojmë territorin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës’’, tha Maqedonci.

    Ai ka thënë se një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së kanë qenë nga komuniteti serb, por sipas tij ata u detyruan të largohen nga presioni i strukturave serbe.

    ‘’Ne kemi pasur një numër të madh të pjesëtarëve të FSK-së që kanë ardhur nga komuniteti serb. Por, fatkeqësisht, një numër i madh i tyre u detyra që ta lë ushtrinë e Kosovës si pasojë e presioneve që ata dhe familjet e tyre kanë pasur nga strukturat e sigurisë në Serbi’’, tha Maqedonci, për RTV21.

    Ministri ka thënë se nuk ka ligj brenda Ministrisë së Mbrojtjes që e ndalon kryerjen e një pune tjetër për pjesëtarët e FSK-së.

    Po ai shtoi se është duke bërë përpjekje që pjesëtarët e FSK-së ta kenë fokus primar FSK-në.

    ”Me ligjet dhe rregulloret e brendshme që i kemi pjesëtarët e FSK-së lejohet që të kryejnë edhe punë të tjera. Nuk është diçka e re. Edhe në vendet tjera ushtarët kryejnë edhe punë tjera. Unë do të bëj përpjekje për krijimin e mundësive që ata të kenë fokus primar FSK-në’’, tha Maqedonci.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!