Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar mbrëmë nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde në rezidencë, në një darkë pune se bashku me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Përfaqësuesin Special të Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner.
Gjatë darkës u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
Temë diskutimi ishin po ashtu raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel, njofton Zyra e Kryeministrit.
Kurti në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila.
Kujtojmë se sot Brukseli do të jetë sot vend takimi i sërishëm i Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, i ngarkuar për Integrime Evropiane dhe Dialog nga Qeveria e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i radhës do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Miroslav Lajcak, emisar i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Ky takim pritet t’i paraprijë takimit të radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qeveria e Kosovës njoftoi se Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar të hënën drejt Brukselit.
Në këtë takim në nivel të kryenegociatorëve, do të diskutohet në lidhje me zbatimin e aneksit të Marrëveshjes së arritur në Ohër. /Reporteri.net/
Hapat e parë të zbatimit të marrëveshjes, Lajçak pret sot Bislimin e Petkoviqin në Bruksel