Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervisuar sot nga Prokuroria Speciale, shkruan Reporteri.net.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë për Reporteri.net se Berishaj është intervistuar në kuadër të hetimeve lidhur me “Shpërlarje të parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, ka deklaruar Luta.
Rreth intervistimi ka shkruar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi, sipas të cilit Berishaj ka dhënë “deklaratë sqaruese”
“Per t’i ndihmuar Prokurorise Speciale te Kosoves sot zotni Martin Berishaj ka dhene deklarat sqaruese me te cilen ne besojme qe i ka ndihmuar Prokurorise per te eliminuar çdo dyshim per aferen e ndertuar nga gazetari serb i aferm me sherbimin sekret te Serbise me qellim te demtimit te reputacionit te Profesorit Martin Berisha i cili eshte hale ne sy te serbis edhe te disave qe me vetedije apo pa vetedije i shtyjn agjendat e Serbise”, ka shkruar Gashi.
Skandali Martin Berishaj
Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-it – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.
Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.
Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.
Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.
Ndërsa një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net i publikuar në maj të vitit 2022 kishte zbuluar afër 2 milionë Euro të hyra në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.
Në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, kishte pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i kishte tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.
Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi