Afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020. Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra. Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje. Lexoni në vazhdim të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net në lidhje me biznesin e Martin Berishajt.
“MB Consulting” është biznesi në Mal të Zi – që deri para më pak se dy jave e mbajti të fshehur – i regjistruar në pronësi të Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci.
Biznesin për konsulenca, në Mal të Zi, profesori i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, e regjistroi më 12 dhjetor 2016. E, qysh në start rezulton se pati të hyra befasuese në xhirollogaritë e kësaj kompanie.
Në vetëm 19 ditë ekzistencë të këtij biznesi në vitin 2016, “MB Consulting” del se pati të hyra gati 100 mijë Euro në xhirollogaritë e saj, tregojnë të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, përmes platformës publike që jep të dhënat për të hyrat vjetore të bizneseve në Mal të Zi të cilat deklarohen nga kompanitë e regjistrua në Administratën Tatimore të këtij shteti.
Të dhënat e deklaruara tregojnë se biznesi i Martin Berishajt në Mal të Zi, – “MB Consalting”, me vetëm ambasadorin kosovar të regjistruar si pronar dhe me vetëm një punonjës të deklaruar në të, në vitin 2016 – ndonëse u regjistrua 19 ditë para përfundimit të tij – pati fiks 99,793.00 Euro të hyra vjetore.
I begatshëm sa dhjetori i 2016’ës rezulton të ketë qenë për biznesin e Berishajt edhe komplet viti pasues. “MB Consulting” në vitin 2017 kishte 900 mijë e 666 Euro të hyra vjetore, tregojnë të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net. Edhe në këtë periudhë, biznesi e kishte të deklaruar vetëm një punonjës në të, e ai rezulton të jetë Drejtori Ekzekutiv i kompanisë dhe pronari Martin Berishaj.
Në vitin 2017, Martin Berishaj, ndonëse jo shumë figurë e njohur publike, si intelektual, në pjesën e fundit të vitit, ishte emëruar – nga atëkohë Kryeministri Ramush Haradinaj – anëtar i Komisionit qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Disa muaj më vonë, në maj të vitit 2018 “si parashutist” Berishaj kishte përfunduar në kryesi të Lëvizjes Vetëvendosje, pushteti i të cilës pas gati 4 vitesh e shpërbleu me detyrën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, krahas një miqësie të deklaruar jo rrallëherë si shumë të ngushtë me figurat kryesore të LVV-së, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Nga afër 1 milionë të hyra në vitin paraprak, në vitin 2018 biznesit për konsulencë dhe menaxhim në Mal të Zi, në atëkohë të anëtarit të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, del se i ranë bajagi shumë të hyrat vjetore. Megjithatë, shifrat sërish rezultojnë të larta për një biznes me vetëm 1 punonjës të deklaruar, gjatë gjithë kohës.
Në vitin 2018, biznesi i regjistruar 100% në pronësi të Martin Berishajt, në shtetin malazez deklaroi 368,738.00 Euro të hyra vjetore. Një vit më vonë, “MB Consulting” rezulton se pati një rritje të lehtë të hyrave, duke shkuar në 382,547.00 Euro të hyrat vjetore për vitin 2019, tregojnë të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net. Ato sërish ranë në vitin pasues, atë 2020, në 233,664.00 Euro të hyra vjetore. Ky edhe është viti i fundit kur ky biznes ka deklaruar të hyra vjetore në Euro. Dokumentet e pasqyrave financiare të deklaruara në Administratën Tatimore të Malit të Zi për vitin 2021, tregojnë se Berishaj nuk ka deklaruar fare të hyra në këtë vit, periudhë kur drejtuesi i Institutit për Studime Shqiptare në Slloveni u kthye në Kosovë për angazhim politik e që më pas u shpërblye me post diplomatik.
Totali i të hyrave, nga dhjetori i vitit 2016 kur u themelua, deri në fund të vitit 2020, të deklaruara nga “MB Consulting” në Administratën Tatimore të Malit të Zi rezulton gati 2 milionë Euro – saktësisht 1 milion e 985 mijë e 408 Euro, tregojnë dokumentet e siguruara gjatë hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net.
Televizioni slloven “Planet TV”, ditë më parë, publikoi disa dëshmi ku pretendohet se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-I – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.
Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.
Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion eurot, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.
Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.
Por, ajo çfarë e dëshmon ky hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, është se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, ka pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i ka tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.
Martin Berishaj, ish-kryetari i partisë së parë shqiptare në Slloveni “Unioni Demokratik i Kosovës”, gjatë kësaj periudhe kohore ishte në ushtrimin e detyrës si anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse jetesën e vazhdonte në Slloveni, ku edhe ligjëronte në një universitet në Lubjanë.
Që kur mediumi slloven ka raportuar për dyshimet ndaj tij, përkundër se afera mori vëmendje të madhe në Kosovë, Martin Berishaj, ka folur vetëm një herë, ku ka thënë se “Shpifjet nuk kalojnë!”.
Sipas reagimit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci gjithçka çfarë kanë transmetuar televizioni slloven dhe më pas mediat në Kosovë është për fushatë parazgjedhore në Slloveni, meqë në ditën kur e bëri reagimin nuk ishin zhvilluar ende ato.
Ai potencoi faktin se tashmë fituesi i zgjedhjeve në Slloveni, Robert Golob, në një debat zgjedhor i ka mohuar raportimet për shpëlarje parash ku dyshohet se u përfshi edhe Berishaj. Sikurse e cekë se të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryeministri slloven në shkuarje Janez Jansha, i cili gjithashtu njihet për afërsi me diplomatin kosovar.
“Nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, shkroi ndër tjera Berishaj në facebook, më 22 prill 2022.
Por, i kontaktuar të premten nga Gazeta Online Reporteri.net, rreth të gjeturave të fundit në hulumtimin e gazetës, ambasadori Berishaj ka zgjedhur të heshtë, duke mos u përgjigjur në pyetjet. Ato atij përveç me e-mail i janë nisur edhe përmes mesazhit në Viber, të cilin e ka injoruar gjithashtu.
Në mesin e pyetjeve të injoruara nga Martin Berishaj ka qenë edhe interesimi i Gazetës Online Reporteri.net nëse pjesa tjetër e parave të derdhura në llogaritë e biznesit të tij janë nga filiali në Beograd i GEN-I. Por, përkundër se gazeta është thirrur në kërkesë për transparencë për shkak të funksionit aktual të tij shtetëror e diplomatik, ai nuk është përgjigjur.
Martin Berishaj në shtator të 2021-ës ishte emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci. Vetëm 5 muaj më parë, Berishaj i lindur në Tuz të Malit të Zi ku edhe e ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme, por prej vitesh i zhvendosur për jetesë në Slloveni, ishte bërë shtetas i Kosovës, duke marrë shtetësinë me dekret nga Presidentja Vjosa Osmani.
Siç edhe e parasheh ligji, për zyrtarët shtetëror të Kosovës, ai kishte kryer deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion, janarin e këtij viti.
Krejt çka kishte deklaruar ai në AKK ishin dy banesa, njëra në vlerë 180 mijë Euro dhe një tjetër 50 mijë Euro, në vlerë. E para e blerë në vitin 2001, sipas tij me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare dhe tjera në vitin 2006, po ashtu e blerë me kursime. Po ashtu, ka pohuar se ka edhe një shtëpi që vlen 72 mijë Euro, e trashëguar nga prindërit, nga të cilët trashëgoi edhe tokë në vlerë 80 mijë Euro.
Berishaj po ashtu ka deklaruar edhe një veturë Mercedes, sipas tij e blerë me kursime, në vitin 2016, në vlerë 15 mijë Euro dhe një Audi 8, të deklaruar në pronësi të bashkëshortes së tij, e blerë po ashtu me kursime, në vitin 2018, në vlerë shumë më të madhe sesa Mercedesi i tij – 42 mijë Euro.
Përveç pagave që Berishaj ka deklaruar se në vit i merr afër 40 mijë Euro për shërbimin e tij në diplomacinë kosovare dhe 24 mijë Euro paga vjetore që i merr gruaja e tij në Lubjanë, ai kishte deklaruar se në bankë i ka të deponuara 15 mijë Euro në xhirollogarinë e tij e 10 mijë tjera në xhirollogarinë e bashkëshortes.
Dhe kaq. Aty nuk përmendej asnjë biznes. As në Kosovë, as në Slloveni, madje as në Mal të Zi.
Por, përveç pronar i “MB Consulting” në Mal të Zi, me një kërkim të thjeshtë në ARBK, del se Ambasadori Berishaj figuron bashkë-aksionar edhe në dy biznese tjera të regjistruara në Kosovë. Në “Myloja L.L.C”, në bashkëpronësi me afaristin slloven, Janez Banivuk, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008 dhe bashkëpronar në kompaninë “Zaslon Kosova” LLC., po ashtu e regjistruar si biznes në Prishtinë.
E për posedimin e këtyre bizneseve të padeklaruara në formularët e AKK-së, Agjencia Kundër-Korrupsionit tashmë i ka filluar procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj.
Me ligjet në fuqi në Kosovë, mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal (neni 437 Pikat 1 dhe 2), dhe është dënueshme nga 3 deri në 5 vite burgim.
Për dallim nga AKK-ja e cila menjëherë ka njoftuar se do të kryejë hetimet dhe verifikimet e saja, dhe përkundër se dokumentet dhe dëshmitë tregojnë shumë, ambasadorit të Kosovës në Kroaci “verbërisht” po i beson Presidentja Vjosa Osmani.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës. Të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organit të drejtësisë”, kishte thënë Osmani në një deklarim të saj, një ditë pasi shpërtheu skandali financiar në Slloveni.
“Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, shtonte ajo.
Martin Berishaj ka lindur në Tuz të Malit të zi ku edhe e ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale në Lubjanë të Sllovenisë në vitin 1984. Në Lubjanë, ai mori edhe titullin Master dhe Doktor. Nga viti 1989 dhe përgjatë viteve të 90-ta, Berishaj ka qenë aktivisht i përfshirë në jetën kulturore në Slloveni dhe përfshirjen e shqiptarëve në jetën politike atje.
Mbase shumë mund të mos e dini. Ose të tjerë e kanë harruar, por Martin Berishaj, para të gjitha angazhimeve tjera politike në Kosovë, menjëherë pas luftës kishte qenë një nga themeluesit e PDK-së. Por, angazhimi i tij në partinë e “krahut të luftës” kishte zgjatur shumë shkurt dhe shpejt ishin ndarë rrugët. /Reporteri.net/.
*(Autor: Mentor Gjergjaj & Bekim Kabashi – në këtë hulumtim kontribuoi edhe gazetari Blendi Gashi).