×
  • Lajme
  • Lajme

    Martini i 2 milionëve, Antikorrupsioni “e kallëzon penalisht” Ambasadorin e Kosovës në Kroaci

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 19:32

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurori ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Dorëzimi i kallëzimit vjen katër muaj pasi mediat sllovene e përmendën Berishajn si të përfshirë në një skandal të madh financiar që shpërtheu atje, pas së cilit u zbulua se Berishaj kishte fshehur bizneset në deklarimin e pasurisë. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të gjithë këtij rasti, nga raportimi i mediave sllovene e deri te dorëzimi i kallëzimit penal.

    Para katër muajve, emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte më i komentuari në vend. Krejt kjo shkaku i një skandali të madh financiar që shpërtheu në Slloveni, ku përmendej edhe emri i tij.

    Sipas mediave sllovene, Berisha ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

    Televizioni slloven “Planet TV” raportoi se si mbi gjysmë milion eurot, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori Berishaj përmes “MB Consulting”.

    Ky televizion dëshmoi me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

    Berisha paralajmëronte edhe padi ndaj mediumit që publikoi lajmin për skandalin e dyshuar financiar.

    “Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, shkruan ai.

    Disa ditë pas skandalit, një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, ka zbuluar dhe dokumentuar se si afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

    Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.

    Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje.

    Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi

    Këtë biznes dhe dy të tjera, Berisha nuk i kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë në Antikorrupsion.

    Përveç pronar i “MB Consulting” në Mal të Zi, me një kërkim të thjeshtë në ARBK, del se Berishaj figuron bashkë-aksionar edhe në dy biznese tjera të regjistruara në Kosovë. Në “Myloja L.L.C”, në bashkëpronësi me afaristin slloven, Janez Banivuk, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008 dhe bashkëpronar në kompaninë “Zaslon Kosova” LLC., po ashtu e regjistruar si biznes në Prishtinë.

    Pas raportimeve për fshehje të këtyre bizneseve, Antikorrupsioni kishte filluar procedurat për verifikim të pasurisë.

    E sot, pas gati katër muajsh, kjo agjenci ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Berishajt. Konfirmimi për dorëzimin e kallëzimit i ka shkuar Gazetës “Nacionale”, meqë agjencia i ka llogaritur ata si inicues të rastit, pas pyetjeve që kishin dërguar lidhur me këtë rast.

    “Pas informacioneve tuaja të datës 22.04.2022, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar procedurën e hetimit paraprak”, thuhej në hyrje të njoftimit të AKK-së dërguar këtij mediumi.

    Ambasadori Berishaj s’ka reaguar ende pas kallëzimit penal. Por, me reagim ka dalë avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se Berishajn e ka klient.

    Ka thënë se për kallëzimin penal ndaj Berishaj ka kuptuar nga mediat.

    “Po flasi ne cilesin e avokatit te z.Martin Berishaj. Pa veting nuk ka drejtesi. O veq vetingu i bjen do do ne veti. Veq vetingu ka me sjell normalitet ne do do institucione te drejtesis. Po ku ka ne nji shtet normal me institucione normale qe njeri me marr vesh per nji kallzim te lodht penal nga do do media anti qeveris Kurti e jo nga vet institucioni qe e ka dergu ket kallxim penal apo nga Prokuroria. As qe e kan vet najsen per kete pune para se me dergu ket kallezim”, ka shkruar Gashi./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!