Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar pas publikimit të lajmin në gazetën online Reporteri.net se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë masa kufizuese kryeministrit, Albin Kurti.
Ai është shprehur i indinjuar me kryeministrin Kurti duke vlerësuar se dikush “që i cënon raportet me ShBA-në nuk e meriton të jetë i pari i qeverisë”.
Miftaraj, u bëri thirrje politikanëve në pushtet që “të largohen nga kjo rrugë krejtësisht e gabuar” referuar kursit të ndjekur qeveritar që ka rezultuar në reciprokim “mospatneriteti” nga ShBA; të kumtuar nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien dhe ri-përcjellur në disa raste nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Ndryshe, gazeta online Reporteri.net ka raportuar sonte se marrëdhëniet e kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën më të ulët, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mandatin e dytë qeverisës në vend. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë. SHBA-ja e ka të qartë se Kurti nuk po e trajton si partnere – e thënë shprehimisht edhe nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien.
Reagimi i Miftaraj:
Një kryeminister i Kosoves qe i cenon raportet me ShBA nuk e meriton te jete i pari i qeverise se Republikes se Kosoves.
Secili deputet i Kuvendit te Kosoves, secili minister i qeverise se Kosoves, secili keshilltar politik i kesaj qeverie qe beson dhe punon per promovimin dhe mbrojtjen e interesave te republikes se Kosoves, sot do te duhej te deshmonte veten dhe te largohej nga kjo rruge krejtesishte e gabuar.
Kosova nuk e ka komoditetin qe per egot dhe interesat personale te nje pushtetari te rrezikoj dhe te tradhtoj te ardhmen e republikes.
Kosova meriton shume me mire!