×
  • Lajme
  • Lajme

    Mashtrimi që VV e LDK ia bënë mediave: Gazetarët i “ngujuan” në holl, vet dolën nga dera e prapme

    Reporteri
    27 Janar 2020 | 19:16

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë përfunduar takimin e sotëm duke mos u marrë vesh si zakonisht, por duke ikur nga mediat siç nuk bëjnë zakonisht.


    Ata u thanë gazetarëve të presin në hollin e Kuvendit, duke ua bërë këshut një “hile” të vogël, pasi ikën pa paralajmërim nga dalja e prapme e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Ekipi i Reporterit po qëndron tani tek hyrja ku mendohet se kanë dalë zyrtarët e të dyja partive, mirëpo aty nuk ka asnjë lëvizje.

    Sidoqoftë, të dyja partitë lanë të kuptohet se nuk kanë arritur të mirren vesh rreth detajeve të marrëveshjes, ani pse para takimit pati optimizëm nga LDK.

    Edhe sonte siç duket posti i kryekuvendarit ka qenë “mollë sherri”, që VV e LDK të mos arrijnë marrëveshje.

    Para takimit të sotëm, Kurti e Mustasfa u takuan fshehtë të premten mbrëma larg syrit të mediave në Universitetin Amerikan, e jo siç u raportua në Prapashticë siç raportuan mediat.

    Këtë e konfirmoi vet Kurti sot nga Prizreni. “Takimi i fundit ishte të premten, jo në Prapashticë po në Universitetin Amerikan”, tha Kurti.

    Ky takim erdhi pas disa ditësh bllokadë, dhe fyerje e akuzave mes zyrtarëve të VV-së e LDK-së ku fajësuan njëri-tjetrin për mosarritjen e marrëveshjes.

    Deri në takimin e sotëm, VV e LDK kanë mbajtur rreth 20 takime, ku edhe pse premtuan se brenda 72 orëve do dakordohen për qeverinë, këtë nuk ia arritën qëllimit, shkruan Reporteri.net.

    Por cilat janë ofertat e fundit që dy partitë i bën njëra-tjetrës, çka u bllokuan bisedimet, deri ditën e sotme.

    Më 14 janar, Kurti i dërgoi letër Mustafës, ku i bëri ofertë për rritjen e shtimit të ministrive nga 12 në 14 sosh, me ç’rast VV i ka 5 ministri kurse ldk 6 ministri, si dhe për Presidentin bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

    Këtë propozim LDK nuk e pranoi, dhe një ditë pas i dërgoi propozim VV-së.

    LDK-ja i tha VV-së se e do kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë partisë së Kurtit, shkruan Reporteri.net.

    Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

    Kurse sa i përket numrit të ministrive LDK i tha VV-së se duhet të mbete në 12, siç janë dakorduar më herët, me përjashtim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    Kurse sa i përket Presidentit, LDK tha se partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, do të përkrahin kandidatin e propozuar prej tyre.

    Si rezultat i kësaj marrëveshje, LDK tha se deri në zgjedhjen e Presidentit: VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri, shkruan Reporteri.net.

    Kurse pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

    LDK në fund të propozimit të saj tha se të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!