×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 100 mijë persona në asistencë sociale, këto janë statistikat e varfërisë që Kurti synon t’i zhdukë

    Reporteri
    23 Shkurt 2021 | 16:47

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar eliminimin e varfërisë ekstreme në Kosovë, përgjatë qeverisjes së tij, shkruan Reporteri.net. 


    Kjo duket një sfidë në vete për kryeministrin e ardhshëm, ngaqë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tre mujorin e fundit të vitit 2020 ka pasur rritje të familjeve në asistencë sociale. Nga skema e ndihmës sociale në këtë periudhë kanë përfituar 25 mijë e 679 familje, me gjithsej 103 mijë e 189 anëtarë.

    Po ashtu nga skema për mbështetje materiale, familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kanë përfituar 2 436 familje.

    Mbrëmë Kurti, me anë të ‘Titter’-it, ka thënë se skemat sociale të qeverisjes së tij, ndër të tjera, do eliminojnë edhe korrupsionin.

    “Përafërsisht 100,000 qytetarë të Kosovës jetojnë me më pak se 1 € në ditë, që është rezultat i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe keqmenaxhimit”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në ‘Tëitter’.

    “Qeverisja jonë e mirë dhe skemat tona sociale do të zhdukin varfërinë ekstreme, do të luftojnë korrupsionin dhe do të rikthejnë ndjenjën e drejtësisë në shoqërinë tonë”, thuhet tutje në postimin e kreut të VV’së.

    Kurti ka thënë se në qeverisjen e tij, prioritet do t’i jepet mirëqenies ekonomike, luftimit të korrupsionit dhe fushes së drejtësisë.

    Por të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë se varfëria po rritet.
    Sipas statistikave të kësaj agjencie për vitin 2020 edhe më tej rritet numri i familjeve nga skemë sociale

    Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

    Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë tremujorit të katërt (TM4) 2020: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 679 familje, me gjithsej 103 189 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale, familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kanë përfituar 2 436 familje.

    Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: nga skema e pensioneve bazë të moshës ishin 142 280 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës ishin 49 451 përfitues; nga skema për pensionet familjare ishin 3 712 përfitues; nga skema për pensionet invalidore ishin 81 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës ishin 2 341 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ishin 1 166 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës ishin 583 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër ishin 1 848 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara ishin 19 266 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik ishin 2 797 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës ishin 13 550 përfitues; dhe nga skema për veteranët e luftës ishin 38 216 përfitues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!