Tetë persona janë arrestuar lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ministri i Brendshëm, Xhalal Sveçla në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Policisë, tha se po ashtu është konfiskuar arsenal armësh dhe municion eksploziv e uniforma ushtarake, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste, siç janë sulmet e fundit me grana ndaj stacionit policor dhe komunës së Zveçanit dhe tani edhe sulmi terrorist i mbrëmshëm ndaj infrastrukturës kritike, ku u dëmtua rëndë kanali i ujit Ibër-Lepenc janë sulme që dirixhohen nga Serbia dhe ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, tha Sveçla ndër të tjera.
Ndërkaq, drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kg, ndërkaq tha se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.
Ai tha se janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjera që po hetohen nga Policia e Kosovës.
Hoxha bëri të ditur se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.
“Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore apo zolla, prej të cilave tri janë të përdorur, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për lëndë plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, kartëmonedha në euro dhe dinarë dhe pajisje tjera elektronike. Po ashtu në një rast të ndarë në Zveçan sot, Policia e Kosovës ka gjetur të fshehur sasi të konsiderueshme të armatimit dhe gjësendeve si në vijim: dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë rekreative, gjashtë karikatorë të armës K 47, municion të kalibrave të ndryshëm e uniforma ushtarake”, tha Hoxha. /Reporteri.net/