×
  • Lajme
  • Lajme

    Maratonë diskutimesh, sërish pauzë në Ohër

    Reporteri
    18 Mars 2023 | 20:45

    Kanë kaluar më shumë se 9 orë që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndonëse pritej që ky takim të përfundonte tashmë, palët kanë shkuar edhe në një pauzë tjetër, siç raporton REL.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq fillimisht, siç ka qenë praktikë e deritanishme, kanë biseduar ndaras me ndërmjetësuesit evropianë të udhëhequr nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe emisari Mirosllav Lajçak, e më pas pasdite kanë nisur një takim trepalësh.

    Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar rreth diskutimeve. Ajo që dihet është se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell pritet t’u adresohet mediave pas takimit.

    Ky takim vjen pas takimit në Bruksel të mbajtur më 27 shkurt, kur Borrell njoftoi se të dyja palët ranë dakord se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për propozimin evropian dhe se kjo është korniza për normalizimin e marrëdhënieve. Në të njëjtën ditë u publikua teksti i marrëveshjes, i cili përmban 11 nene.

    Në cilësinë e vëzhguesit, në Ohër po merr pjesë edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.

    Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përsëriti se sot nuk pret nënshkrime. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!