×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbrojtësi i viktimave akuzon mediat për kritikat ndaj Gjykatës Speciale

    Reporteri
    03 Prill 2023 | 16:43

    Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, në seancën gjyqësore që ka filluar sot në Hagë kundër katër krerëve të UÇK-së, duke folur për klimën në Kosovë, ka akuzuar mediat që kanë kritikuar punën e Gjykatës Speciale.

    “Ka edhe pjesë të medias në Kosovë që përpiqen të hedhin hije dyshimi mbi punën e kësaj Gjykate. Do të shohim përmes dëshmitarëve këtu që në fakt nuk është një qasje me të cilën pajtohen. Përkundrazi. Ndjehen edhe më të fortë, se të paktën më në fund kjo Gjykatë ju ofron njëfarë llogaridhënie. Shumë viktima besojnë se shumica e personave në Kosovë nuk i gjykojnë viktimat në këtë formë, por i mbështesin ata siç mbështesin këtë Gjykatë. Por, ata nuk janë zërat që dëgjohen më shpesh në publik apo në media. Ata janë shumica që hesht”, ka deklaruar ai.

    Mediat dhe organizatat në Kosovë që kanë përcjellur gjykimet në Hagë, vazhdimisht kanë raportuar për kritika lidhur me vonesat në nisjen e gjykimit, fshehjen e provave nga Prokuroria, mos-aprovimin as edhe të një ankese deri më tani për avokatët, mos-lirimin me kusht dhe detaje të tjera.

    Ndryshe. me deklaratën e tij ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ditën e nesërme, me 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!