Një i ri që kishte veshur një fanellë të Kombëtares Shqiptare në futboll dhe me të ishte parë në një autobus të trafikut urban në kryeqytetin serb, është komentuar shumë në Serbi.
Përveç rrjeteve sociale, edhe mediat kryesore serbe janë marrë me të, duke e paraqitur Beogradin dhe Serbinë si një vend europian dhe të civilizuar, ku edhe dikush me fanellë të kombëtares shqiptare mund të sillet lirshëm rrugëve, pa frikën se mund ta sulmojë ndokush.
Megjithatë, vetë fakti se veshja e një fanelle shqiptare, bëhet temë edhe në mediat më të mëdha të vendit, tregon të kundërtën civilizimit dhe europianizimit të tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Gazeta serbe Kurir, si lajm kryesor faqen online të saj e ka paraqitur këtë, me titullin: Serbia një vend ku gjithçka është e mundur, me fanellë shqiptare në një autobus në mes të Beogradit, dhe nuk i mungoi asnjë fije floku.
“Gjithçka është e mundur këtu në Serbi, ne jemi një vend evropian”, ka qenë një prej komenteve.
“Ai ka të drejtë të veshë atë që dëshiron. Mbi të gjitha, stema nuk është aq e dukshme. Nuk duket sikur ai ka ndërmend të provokojë”, thotë një tjetër. /Reporteri.net