Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim të bërë në platformën “X”, Rama ka inkurajuar krerët e Kosovës të vazhdojnë bashkëpunimin me aleatët për të dëshmuar se Kosova është një partner i rritur dhe besueshëm.
“Unë e mbështes plotësisht vendimin më mirë vonë se kurrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit. Unë inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, ka shkruar Rama në “X”.
I fully support the better late then ever decision of the Government of the Republic of Kosovo to implement the Constitutional Court decision concerning the Decani Monastery. I encourage Kosovo leadership to continue working with our joint key allies in demonstrating that the…
— Edi Rama (@ediramaal) March 13, 2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.
Kurti tha se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.
Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi, raportoi me burime se Qeveria e Kosovës po punon në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të 24 hektarëve tokë dhe pyje përreth. Sikurse që ekzekutivi ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese./Reporteri.net/
Tokat e Manastirit të Deçanit “kompromisi” i Kosovës për anëtarësimin në KiE