×
  • Lajme
  • Lajme / Dërgimi i komenteve

    Me një dokument 7-faqësh, Qeveria e Kosovës i ankohet Brukselit që Serbia po shkel marrëveshjen

    Reporteri
    20 Korrik 2024 | 21:09
    Arkiv: Fotografi nga takimi në Bruksel, mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. 02.05.2023.

    Kosova ka dërguar në Bruksel komentet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Nga Qeveria e Kosovës njoftojnë se e ka marrë konfirmimin edhe nga Brukseli për pranim të komenteve dhe planin e zbatimit të Marrëveshjeve.

    Krejt çka pret Kosova është që pala serbe të jetë konstruktive dhe të mos e refuzojë Marrëveshjen. Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se procesi dialogues do të mund të zhbllokohej, nëse komentet do të merren parasysh.

    Qeveria e Kosovës ka dërguar brenda afatit komentet drejt Bashkimit Evropian lidhur me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë. Nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje me shkrim, kanë treguar disa prej çështjeve që janë adresuar në dokumentin prej shtatë faqesh.

    “Disa prej çështjeve të adresuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes komenteve të dërguara, kanë të bëjnë me zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike, në tërësinë e të gjitha neneve të saj e natyrisht dhe pranimin e marrëveshjes nga palët, duke pasur parasysh refuzimet e shpeshta, edhe publike të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike. Gjithashtu, është shprehur nevoja për mosdevijimin, por respektimin e parimeve të marrëveshjes, e ku një shembull është ai i ecjes paralel në zbatim, ku njëra palë bën një hap e pala tjetër një hap tjetër”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

    Në këto komente, sipas Qeverisë janë ofruar edhe argumente se Kosova ka qenë konstruktive në këtë proces, ndërkohë që Serbia ka shkelur vazhdimisht nenet e marrëveshjes.

    “Në dokument janë ofruar ndër të tjera edhe komente e argumente mbi atë se pala e Kosovës ka përmbushur një pjesë të obligimeve nga ana e saj, teksa kundërpërgjigjja e Serbisë ndaj këtij konstruktiviteti nga ana jonë, kanë qenë shkeljet e vazhdueshme të frymës dhe neneve të marrëveshjes”, thuhet mes tjerash.

    Në takimin e fundit në Bruksel nuk ka pasur ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes. /RTK

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!