Më shumë se 65 zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, janë të dyshuar dhe po hetohen për korrupsion. Kështu thotë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Ai thekson se në mesin e tyre janë zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, kryetarë komunash, anëtarë këshillash drejtues, anëtarë bordesh, e të tjerë. Sipas tij, mungesa e një vullneti politik po ndikon në mosluftimin të korrupsionit siç duhet. Havolli thotë se agjencia has në raste të ndryshme korruptive, nga ato më të lehta – të punësimit, e deri në nivelet më të larta – të shpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Këtë vit kalendarik e ka vështirësuar ende gjendja e pandemisë. Do të thotë, shumica e mekanizmave anti-korrupsion, janë fokusuar në çështje të pandemisë dhe më pak ka pasur progres në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit. Ne, si Agjenci Kundër Korrupsionit, pavarësisht problemeve që na janë paraqitur sa i përket punës këtu në agjenci, jemi munduar që edhe në kuadër të këtyre masave kufizuese dhe me staf të kufizuar, që të trajtojmë një numër të madh të rasteve, të cilat kanë ardhur në agjenci. Gjatë këtij viti kemi trajtuar një numër të madhe të rasteve. Deri më tani, kemi dërguar 65 raste me kallëzim penal për zyrtarë të lartë në prokuroritë përkatëse.”, tha Havolli për Evropën e Lirë.
Këtë javë, më 9 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor të publikuar në tetor të vitit 2020, thuhet se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz.