×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Më vitin 2023 u paguan mbi 8 milionë euro nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

    Reporteri
    05 Gusht 2024 | 17:24

    Shuma që Republika e Kosovës ka shpenzuar gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 për mbrojtjen e të akuzuarve të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka qenë 8 milionë e 195 mijë e 800 euro, duke e kaluar buxhetin e ndarë për atë vit, shifër e cila ishte 7 milionë euro.

    Sipas të dhënave që ka siguruar “Betimi për Drejtësi” nga Ministria e Drejtësisë, shuma më e madhe e mjeteve të ndara për mbrojtjen e të akuzuarve gjatë vitit 2023 është ndarë për mbrojtjen e Jakup Krasniqit. Ndërsa, pas tij qëndron mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit me të njëjtën shumë. Kurse, nga katërshja e UÇK-së, më së paku është shpenzuar për mbrojtjen e Hashim Thaçit.

    Nga të dhënat e MD-së, bëhet e ditur se gjatë vitit 2023, mbrojtja e Krasniqit ka shpenzuar 1 milion e 540 mijë euro, mbrojtja e Veselit dhe ajo e Selimit nga 1 milion e 430 mijë euro. Ndërsa, ajo e Thaçit ka shpenzuar 1 milion e 371 mijë e 800 euro.

    Kurse, për të akuzuarit tjerë, sipas përgjigjes nga Ministria e Drejtësisë thuhet se për mbrojtjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 975 mijë euro, për atë të Salih Mustafës janë shpenzuar 684 mijë euro, për mbrojtjen e Hysni Gucatit 423 mijë euro dhe për atë të Nasim Haradinajt janë shpenzuar 342 mijë euro.

    “Sipas Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjen Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, i Plotësuar dhe Ndryshuar me Ligjin nr. 08/L-213, Buxheti i ndarë për MD përkatësisht Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ishte 7.000.000 € (shtatë million euro). Megjithatë, kjo shumë nuk ka mjaftuar për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë me shkresë të veçantë ka kërkuar mjete shtesë, me kërkesat buxhetore sipas afateve të përcaktuara nga Ministria e Financave”, thuhet në përgjigjen e MD-së dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, MD-ja thekson se mjetet buxhetore të shpenzuara për vizitat e familjarëve të të akuzuarve në Hagë gjatë vitit 2023 kanë arritur shifrën në 134 mijë e 818 euro e 16 centë. Këtu, sipas përgjigjes së MD-së janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushqimi.

    Sipas MD-së, Thaçi nuk ka bërë kërkesa për mjete lidhur me vizitat e familjarëve të tij. Kurse, Pjetër Shala nuk ka bërë kërkesa për mjete për bileta udhëtimi për familjarët e tij për periudhën e njëjtë, por për fjetje dhe ushqim po.

    Për familjarët e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 26 mijë e 500 euro e 49 centë vetëm gjatë vitit 2023. Për familjarët e Kadri Veselit janë shpenzuar 19 mijë e 627 euro e 11 centë, për të Selimit janë shpenzuar 25 mijë e 301 euro e 48 centë.

    Ndërsa, për familjarët e Salih Mustafës janë shpenzuar 9 mijë e 768 euro e 43 centë, për të Pjetër Shalës 6 mijë e 607 euro e 20 centë. Kurse për familjarët e Sabit Januzit janë shpenzuar vetëm 700 euro.

    Ndonëse u liruan në fund të 2023-ës, buxheti i shpenzuar për familjarët e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka shkuar në mbi 46 mijë euro (22 mijë e 644 euro e 84 centë për familjarët e Haradinajt dhe 23 mijë e 668 euro e 61 centë atë për të Gucatit).

    Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

    Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Kurse në rastin ndaj Salih Mustafës kishte vendime dënuese në shkallën e parë dhe të dytë, por Supremja e Speciales e ktheu sërish rastin në Apel për të përcaktuar një dënim të ri ndaj të akuzuarit për krime lufte. Aktakuza e ngarkon Mustafën me krime të kryera kundër personave të ndaluar në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash ku pretendohet se u kryen krime të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës dhe se u vra një i ndaluar.

    Së fundi, edhe për rastin ndaj Pjetër Shalës ka një verdikt nga shkalla e parë, por që gjatë 2023-ës ky rast ishte ende në proces të gjykimit.

    Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi. Ai u dënua me 18 vjet burgim e që vendimi ende nuk ka formë të prerë.

    Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

    Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë. Megjithatë, kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në këtë rast u refuzuan nga Supremja dhe Kushtetuesja e Speciales.

    Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    Për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po akuzohen edhe Ismet Bahtijari, Sabit Januzi dhe Haxhi Shala por që gjykimi në këtë rast ende nuk ka filluar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!