Mediat botërore për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel: BE-ja nuk arrin t’i japë fund tensioneve

Mediat botërore kanë raportuar për takimin e djeshëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel, me vlerësimin se BE-ja nuk po arrin të stabilizojë tensionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta franceze “France 24” raportoi se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk arritën t’i japin fund konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa “Deutsche Vele” njoftoi se takimi i krizës përfundoi pa marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Euronews” raporton se Serbia dhe Kosova po bien dakord për bisedime të mëtejshme për uljen e tensioneve në Ballkan.

“Serbia dhe Kosova nuk arrijnë marrëveshje për uljen e tensioneve, por do të vazhdojnë të bisedojnë”, është titulli i gazetës zvicerane “Swissinfo”.

Edhe spanjollja “Elmundo” shkruan se BE-ja po dështon të vendosë mirëbesim mes Serbisë dhe Kosovës.

“Washington Post” shkruan se takimi i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka përfunduar pa marrëveshje.

Kujtojmë se pa ndonjë marrëveshje përfundoi dje takimi i gjatë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky ishte takimi i tretë që u zhvillua mes Kurtit e Vuçiqit dhe hera e parë që ata u takuan sërish në të njëjtin ditë.

Ishte Kryediplomati Josep Borell, ai i cili në konferencën për media pas bisedimeve disa orëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.

Borell tha se dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.

“Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkombëtar s’do të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator. Nuk dorëzohemi”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE’së u shpreh se dy liderëve ua ka kujtuar se takimi i thirrur sot s’është i rregullt, por është takim në kohë krize.

“Nuk ishte takim normal, nuk ishte i rregullt, bashkë me Emisarin Lajcak, të cilin dua ta falënderoj për punën e mirë. Këtë takim e thirrëm sepse u ballafaquam me ngritje tensionesh në veri. U thashë dy liderëve ky ishte një takim në kohë krize dhe qëllimi ishte të qetësojmë situatën në terren”, tha Borrell.

Ai tha po ashtu se Kurti dhe Vuçiq do ta kenë përgjegjësinë për çdo eskalim situate në veri.

“Mund të themi se ky takim ishte për përgjegjësinë e dy liderëve për të gjetur zgjidhje në mirëbesim për siguruar paqen dhe stabilitetin në veriun e Kosovës. Kjo ndodhi në kohën kritike të Evropës, me rikthimin e luftës në kontinentin tonë në Ukrainë dhe ky s’është moment për të ngritur tensione por për të gjetur zgjidhje”, tha Borell para gazetarëve.

Kryeministri Albin Kurti s’është deklaruar ende, por Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, ku ka treguar se çfarë ka thënë Kurti në takim.

Sipas Qeverisë, në takim është diskutuar edhe për marrëveshjen finale. Kurti thuhet se ka prezantuar elementet që duhet t’i përmbajë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.