Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka ftuar në takim partitë politike për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, një takim që duket të jetë “urgjent”, meqë ftesat për krerët e partive politike janë dërguar dje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Krasniqi ka thënë se ka refuzuar këtë ftesë në shenjë indinjate për heshtjen e presidentes Osmani karshi zhvillimeve të fundit.
“Dje kam pranuar nga Presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së.
Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët.
Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, shkruan ai.
Takimi është planifikuar të mbahet sot në ora 15:00. Në letrën e Krasniqit drejtuar presidentes, bëhet e ditur se takimi ka qenë i propozuar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Të enjten në mesditë, Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në Presidencë edhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Ky i fundit, nga Prishtina, pas takimit me Osmanin, porositi Kurtin që sot në Bruksel t’a pranojë planin tre-pikësh të BE-së për de-eskalim të situatës në veri, pasi sipas tij, kjo është mënyra e duhur për të ndalur tensionet. /Reporteri.net/
Vjosa Osmani i thërret në takim për sot pasdite liderët e partive politike