Nëse gjatë kësaj kohe mijëra nxënës nuk e kanë pasur asnjë problem sa i përket qasjes në mësim, meqë të gjitha pajisjet e teknologjisë i kanë pasur në shtëpi, përfshirë edhe internetin dhe sistemin televiziv kabllor, ka disa të tjerë, në fshatra të Kamenicës që nuk e kishin këtë mundësi deri tash, shkruan Reporteri.
Malësi quhet një zonë që përfshinë disa fshatra në Komunën e Kamenicës. Janë fshatra pak më të thella. Disa nxënës atje tash e sa javë kishin probleme, që sot mund të quhen edhe bazike, me qasje në internet dhe qasje në rrjetin kabllovik televiziv.
Kjo kishte bërë që ata të kishin vështirësi të ndiqnin mësimin online që po aplikohet aktualisht në gjithë Kosovën. Një problem të tillë e kishte theksuar para disa ditëve edhe Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati në një intervistë për Reporterin.
Pas sa javësh, këto fshatra thuhet se do të kenë kanë rrjetin kabllor dhe internetin. Lajmi i mirë për nxënësit e asaj zone ka ardhë dje.
“Lidhja e rrjetit kabllovik dhe internetit për nxënësit e tanë. I lumtur që kemi arritur që t’u sigurojmë rrjetin kabllor dhe internetin nxënësve që jetojnë në fshatrat e Malësisë dhe rrethinë. Jemi të vendosur që asnjë nxënës të mos privohet nga mësimi për asnjë arsye. Angazhimi ynë i përditshëm është i fokusuar në secilin fshat pa dallim. Mësim të këndshëm”, ka shkruar Kastrati dje.
Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti ka thënë për Reporterin se do të gjejnë zgjidhje për secilin nxënës.
“Aktualisht kemi 25 nxënës që nuk kanë qasje në internet. Deri më tani kemi intervenuar në gjashtë familje në Krilevë, Bujnoc e Kranidell, ku numri i nxënësve është më i madh, kurse pritet që të intervenohet edhe në disa fshatra tjera të malësisë si Tugjec, Laqiq, Desivojcë, Vriqec, Velegllavë, Poliqkë, Dazhnicë, Lisockë e Shahiq. Jemi duke shikuar fillimisht nevojat e nxënësve për t’u mundësuar qasjen në mësimin nga distanca dhe më pas të intervenojmë aty ku kemi mundësi edhe vendbanime tjera”, ka thënë ajo për Reporterin.
Meqë interneti e rrjeti kabllor është instaluar e po instalohet, nxënësit tash mund të kenë qasje në mësim. Ata në fakt nuk kishin as kompjuterë në shtëpi. Komuna ka gjetur një zgjidhje para dy ditëve.
“Nxënësve nga zonat më të thella që kanë pasur mungesë të pajisjeve teknologjike, u kemi bërë një zgjidhje për të ndjekur mësimin nga distanca. Ndoshta kjo nuk është zgjidhja më e mirë por secili lufton me atë që ka.Nga kabinetet e informatikës në shkolla, kemi marrë kompjuterët për t’ua dërguar nxënësve përkohësisht, derisa të përfundojë situata e pandemisë e mësimi online. Pavarësisht të gjithave, nxënësit nuk duhet të privohen nga mësimi. Fokusimi në mësim duhet të jetë maksimal, prandaj mësoni e angazhohuni që në të ardhmen të korrni suksese”,ka njoftuar Kastrati më 30 Prill.
Ndonëse Kamenica e ka theksuar këtë problem që prej se ka filluar pandemia, nuk ka një raportim se çfarë ndodhë në fshatra të komunave tjera, qw mund ta kenë problemin e njëjtë. /Reporteri