×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Abrashi dhe kryetari i Istogut, nënshkruajnë memorandum për financimin e projekteve infrastrukturore

    Reporteri
    13 Gusht 2020 | 16:01

    Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore, me kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova.


    Ministri Abrashi tha se sot ishin në Istog për të filluar disa punë të mbara për këtë komunë dhe regjionin.

    Memorandumi i Mirëkuptimit që u nënshkrua sot, parasheh bartjen e kompetencave dhe mjetet buxhetore për fillimin e një rruge shumë të rëndësishme për Istogun që lidhet me Moknen.

    “Po hapet një perspektivë e re zhvillimore në turizëm, ekonomi dhe blegtori edhe për Istogun dhe regjionin ku fillon një lidhje e rëndësishme e Istogut me bjeshkët”, tha Abrashi.

    Ministri Abrashi bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për një projekt strategjik për Istogun për zonën përreth dhe Klinën.

    “Ideja e fillimit të projektimit të rrugës Istog–Klinë, rrugë e cila do të zgjerohet në katër korsi, që lidh Istogun me autostradën Prishtinë-Pejë, dhe me rrugën nga Dollci deri në Gjakovë dhe në autostradën Ibrahim Rugova”, tha Abrashi.

    Ndërsa kryetari i Istogut, Haki Rugova, tha se realizmi i këtij projekti që lidh Istogun me Moknen, është një projekt i kamotshëm i cili shumë shpejt do të fillojë me fazën e parë.

    Në kuadër të Memorandumit që u nënshkrua sot, do të realizohet projekti “Ndërtimi i Rrugës Livadhet e Istogut – Mokën faza e parë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!