×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri i Drejtësisë flet si duhet të këndellet drejtësia: A realizohet kjo me fjalë?

    Reporteri
    11 Mars 2019 | 17:10

    Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka folur edhe një herë se si duhet të jetë sistemi i drejtësisë, më konkretisht se si duhet këndellur, duke ditur sa është politizuar nga paslufta. Ai në tryezën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), me temën “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”, ka thënë sistemi i drejtësisë është shtylla e zhvillimit të një shoqërie, prandaj edhe investimi në efikasitetin e tij është investim për të ardhmen.


    Përkundër se kritikat janë të vazhdueshme ndaj këtij sistemi si nga opozita e shoqëria civile, ministri Tahiri thotë se indikacionet flasin se performanca e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial është duke u rritur.

    Megjithatë ai e ka pranuar se duhet ende punë për t’i bërë ato tërësisht transparente, të përgjegjshme, llogaridhënëse dhe efikase, shkruan Reporteri.net.

    “Në prezantimin e raportit të IKD-së mbi monitorimin e punës së gjykatave dhe prokurorive, theksova domosdoshmërinë për ta rritur përkushtimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i mundësojnë qytetarit tonë një qasje të shpejtë dhe kuptimplotë në drejtësi. Rritja e buxhetit, shtimi i bashkëpunëtorëve profesional, rritja e pagave dhe reformimi i legjislacionit janë masa që dëshmojnë vullnetin politik timin si Ministër i Drejtësisë dhe institucioneve tona, që një realitet i tillë të bëhet përditshmëri” ka shkruar Tahiri në Facebook.

    Duke marrë parasysh gjithë investimin e bërë, Tahiri ka kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që mos t’i nënshtrohen ndikimit të askujt, por të punojnë për kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

    “Shembujt e tyre të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit te organizuar do të ndihmojnë në tejkalimin e kulturës së mosndëshkimit. Shteti i së drejtës përcaktohet nga puna e tyre e pavarur dhe në funksion të drejtësisë, pritjet tona ndaj tyre janë asgjë më pak sesa materializimi i sundimit të ligjit” ka shkruar Tahiri.

    Se nuk ka transparencë dhe llogaridhënie publike nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor e tregon edhe një raport i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

    IKD në procesin e monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë prej 1 janarit e deri më 30 shtator 2018, ka bërë gjithsej 325 kërkesa për qasje në dokumente publike, lidhur me përmbushjen e obligimeve ligjore, ofrimin e informacioneve, statistikave dhe të dhënave të tjera të disponueshme dhe të lejueshme sipas Ligjit mbi Qasje në Dokumente Publike, duke përfshirë gjykatat, prokuroritë, KGJK-në, KPK-në dhe institucionet e tjera.

    Prej tyre, 285 kërkesa për qasje në dokumente publike, IKD i ka adresuar vetëm në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, ku për 133 kërkesa ka pranuar përgjigje pozitive, kurse për 152 të tjera nuk ka pranuar fare përgjigje ose ka pranuar përgjigje negative.

    Përkatësisht, në Gjykatat e Kosovës, IKD ka paraqitur gjithsej 172 kërkesa, nga të cilat ka pranuar 10 përgjigje negative, 89 përgjigje pozitive dhe në 73 kërkesa nuk ka marrë përgjigje.

    Kurse, në Këshillin Gjyqësor, IKD ka adresuar gjithsej 29 kërkesa, për të cilat një përgjigje ka qenë negative, 14 përgjigje pozitive dhe për 14 kërkesa nuk ka marrë përgjigje fare.

    Në anën tjetër, në Prokuroritë e Kosovës, IKD ka paraqitur 56 kërkesa për qasje në dokumente publike, për të cilat 9 përgjigje kanë qenë negative, 17 përgjigje pozitive dhe në 30 kërkesa nuk ka marrë përgjigje. Kurse, në Këshillin Prokurorial, IKD ka adresuar gjithsej 28 kërkesa, për të cilat dy përgjigje kanë qenë negative, 13 përgjigje kanë qenë pozitive dhe në 13 kërkesa nuk ka marrë përgjigje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!