Pushteti aktual thotë se po e transformon shëndetësinë publike, ndërsa opozita po e kritikon për skandale në këtë sektor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje foli për transformimet në shëndetësi. Ai përmes një postimi në Facebook tha se Klinika e Onkologjisë tashmë është transformuar dhe pajisur me teknologjinë e fundit, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa njoftoi se do të vazhdojnë me punimet edhe në Klinika tjera, ku ka njoftuar se javën tjetër vazhdojnë me Urologjinë dhe më pas me Emergjencën.
“Klinika e Onkologjisë tashmë është transformuar dhe pajisur me teknologjinë e fundit.
✅ Pas shumë projekteve tashmë të përfunduara, vazhdojmë klinikë pas klinike…
🔜 Javën tjetër: Urologjia, pastaj Emergjenca dhe vazhdojmë me shumë shërbime dhe investime të tjera në shëndetësinë publike”, shkroi Vitia, ndërsa publikoi dhe disa foto.
Por, një ditë më vonë opozita ka adresuar kritika ndaj ministrit Arben Vitia. Është deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se po i ruan barnat në depo të fundosura nga uji, ndërsa akomodon stafin e tre inspektorateve në një objekt në vlerë mbi një milion euro, shkruan Reporteri.net. Këtë e ka quajtur skandali të radhës të Ministrisë së udhëhequr nga Arben Vitia.
“Skandali i radhës i Ministrisë së Shëndetësisë! I ruan barnat në depo të fundosura nga uji, ndërsa akomodon stafin e 3 inspektorateve në një objekt në vlerë mbi 1.2 milion euro. Ministria e Shëndetësisë merr objekt me qera 1 milionë e 242 mijë euro për akomodimin e stafit të tri inspektorateve, përderisa Depoja qëndrore farmaceutike e MSH-së që ndodhet te Pallati i Rilindjes është fundosur nga uji për shkak të reshjeve të shiut”.
“Pse po mbahet “sekret” fundosja e depos qëndrore farmaceutike e MSH-së? Si është e mundur që barnat të ruhen, në një ambient me lagështi ku depërton uji? Ndërsa në anën tjetër MSh u siguron objekt milionësh stafit të Inspektoratit! Çfarë logjike menaxhues është kjo ku më shumë shpenzohet për inspektora se për ruajtjen e barnave, që janë jetike për pacientët?!”
“Prokuroria duhet të inspektojë këtë depo, ngase mund të asgjesohen stoqe të tëra të barnave për të mbuluar vjedhjen ne sektorin e faramcisë të MSH-së! Dhe për këtë skandal të mirret në pyetje ministri i Shëndetësisë”, ka shkruar deputeti Haxhiu.
Kurse, ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj, para dy ditësh kishe thënë se stafi i Klinikës së Onkologjisë kanë nevoj të vazhdueshme për përkrahje.
“Klinika e Onkologjisë dhe stafi i saj kanë nevoj të vazhdueshme për përkrahje institucionale”, ka shkruar ai.
Ndërsa më 18 qershor, Zemaj përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se Qeveria duhet të japë përgjegjësi për tendencën për zhvatje në listën për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale.
“Pacienti dhe qytetari të mbrohen nga këta keqbërës. Tendenca për zhvatje në listën për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale, nuk duhet të kaloj pa përgjegjësi. MSh dhe Qeveria duhet të japin llogari!”, kishte shkruar ai.
/Reporteri.net/.