Ministria e Diasporës e kthen në punë zyrtarin që e ndihmoi Marko Millosheviqin të ikte nga burgu

Zyrtari i Ministrisë së Diasporës, Petrit Mustafa është rikthyer në vendin e tij të punës pasi më herët kishte qenë i suspenduar për shkak se po ndihmonte Marko Millosheviqin që të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës.


Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Mustafën fajtor për shkak se kishte ofruar ryshfet 3 mijë euro gardianit të burgut Stefan Veliqkoviq si dhe i kishte ofruar dy telefona.

Zyrtarja për media në Ministrinë e Diasporës, Qendresa Fazliu, ka konfirmuar për Insajderin se Mustafa është rikthyer në vendin e punës.

Ai kishte qenë i suspenduar për katër muaj nga kjo pozitë me 50% të pagës që nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti. Ministria e Drejtësisë në arsyetimin për kthimin e Mustafës nga suspendimi thotë se ka ardhur pas aktgjykimit të formës së prerë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Mustafa është në marrëdhënie të punës në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në pozitën e Zyrtarit të IT-së nga 20.03.2012. Z.Mustafa ka qenë i pezulluar me 50% të pagës nga data 08.11.2018 deri më 28.02.2019”.

“Ai është rikthyer në punë, pas aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe bazuar legjiclacionin në fuqi për shërbimin civil”, ka thënë Fazliu për Gazetën Online Insajderi.

Arsyeja e arrestimit të gardianit serb dhe zyrtarit të Ministrisë së Diasporës

Zyrtari i Ministrisë së Diasporës ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 6 dhjetor të vitit të kaluar. Në të njëjtin rast ishte dënuar edhe gardiani i burgut, Stefan Veliqkoviq.

Mustafa dënimin me gjashtë muaj burgim me pëlqimin e tij e kishte kompensuar në gjobën prej 2 mijë e 800 euro.

Ndërsa, gardiani i burgut Stefan Veliqkoviq, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë e shtetit dhe u dënua me 6 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë. Edhe dënimin prej 6 muajsh, gjykata ia transformoi në gjobë prej 2 mijë e 800 euro.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në vitin e kaluar së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga Interpol-i dhe armëmbajtje pa leje.