Ministria e Drejtësisë ka thënë se reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës për Ligjin për KPK-në është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit dhe ka për qëllim ruajtjen e status quo-s, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Nëpërmjet një komunikate për media, nga MD-ja thonë se reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj cenon pavarësinë e KPK-së, ndërhyn në mandatin kushtetues apo edhe pamundëson funksionalizimin e KPK-së.
“Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial”, thuhet në komunikatë.
MD rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues dhe takimet e veçanta, si dhe ka trajtuar secilin propozim të tyre, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për qasje të njëanshme.
“Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi.
Pra, ndryshe nga konstatimet e pavërteta dhe aspak të qëndrueshme të Këshillit Prokurorial për qasje të njëanshme, refuzim dhe injorim të propozimeve e komenteve të përfaqësuesve të tyre, Ministria e Drejtësisë rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues, por edhe në takimet e veçanta, duke trajtuar kështu secilin propozim të tyre dhe duke adresuar dhe pranuar të gjitha ato që janë në interes të vet reformës”.
Nga Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu thonë se Kuvendi ka miratuar një Ligj reformues për sistemin, në përputhje të plotë me opinionet e Komisionit të Venedikut dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese së vitit të kaluar për këtë çështje.
“Rrjedhimisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një procesi gjithëpërfshirës (përfshirë përfaqësuesit e sistemit prokurorial), ka miratuar një Ligj reformues për sistemin, në përputhje të plotë me opinionet e Komisionit të Venedikut dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese së vitit të kaluar për këtë çështje.
Ndryshe nga konstatimet e Këshillit Prokurorial, miratimi i nismës së tillë, ishte mirëpritur nga vet akterët pjesëmarrës në këtë reformë siç janë përfaqësuesit aktiv të shoqërisë civile dhe të tjerë dhe i cili fakt, nuk kishte nxitur reagimin kundërshtues të shumicës së partnerëve ndërkombëtarë pjesëmarrës në këtë nismë (përjashto atë të zyrës së BE-së që ka të bëjë me kërkesën e tyre për dërgim të serishëm në Komisionin e Venecias dhe adresim të rekomandimeve që kanë të bëjnë me komisionin parazgjedhor, për të cilat, Ministria e Drejtësisë së bashku me Komisionin për Legjislacion, kishin ofruar sqarimet e nevojshme).”
MD i bën thirrje KPK-së që të fokusohet në zbatimin e elementeve që janë në të mirën e sistemit prokurorial dhe të braktis qasjen destruktive dhe tendencat penguese.
“Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë i bën thirrje KPK-së të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut.
Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”, vijon më tej komunikata.
Kujtojmë se të hënën KPK-ja ka reaguar publikisht ndaj Ligjit për KPK-në, duke thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024.
“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.
Pas miratimit të Ligjit të ri reagon KPK, thotë se rrezikohet pavarësia prokuroriale