×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Financave ua bllokon komunave mjetet nga të hyrat vetjake

    Reporteri
    16 Korrik 2024 | 17:50
    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

    Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve  që sa më shpejt të bëjë bartjen e mjeteve financiare të Komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023.

    “Këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e Komunave të bllokohen nga niveli qendror”, thuhej në reagimin e BAKK-së.

    “Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye”, thuhej më tej në njoftim.

    “A thua përse ndodhë një veprim I tillë ndaj Komunave? Duhet ditur se MFPT e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave. Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar”.

    Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror. Komunat janë në pritje të bartjes së të hyrave nga rritja e realizuar nga vetë komunat.

    “I bëjmë ftesë publike Ministrit të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore për realizimin e të drejtës së Komunave në të kundërtën po neglizhohet në dëm të Komunave e rrjedhimisht në dëm të mosrealizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve”, thuhej në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!