×
  • Lajme
  • Lajme / Me negocim

    Ministria e Infrastrukturës shpërblen edhe me një tender kompaninë e dostit të Durmishit, vlera mbi 850 mijë euro

    Reporteri
    16 Korrik 2024 | 19:00

    Ministria e Infrastrukturës e ka shpërblyer edhe me një tender kompaninë “Bageri”, pronari i së cilës, Bujar Shabani, është shok i zëvendësministrit Hysen Durmishi. Vlera totale e kontratës është 853 mijë e 619 euro dhe është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo kontratë është dhënë për punë shtesë në zgjerimin e rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Besi-Podujevë, Lot 2, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    E njëjta kompani është edhe fituese e kontratës për këtë lot, bashkë me operatorët “Kosova Asfalt SH.P.K; Bageri-1 SH.P.K dhe EL BAU SH.P.K”. Vlera e kësaj kontratë është 8 milionë e 644 mijë e 259 euro.

    Kontrata për punë shtesë figuron se është dhënë më 15 korrik, derisa nënshkrimi i saj ka qenë i planifikuar të bëhet sot.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e kishte pranuar se e ka shok Bujar Shabanin, pronarin e biznesit ‘Bageri’, kompani që kishte fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës.

    Në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’, Durmishi kishte thënë se nuk ka punuar në kompaninë e tij, por vetëm e kishte ndihmuar me këshilla.

    “Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë”, kishte thënë Durmishi.

    Pikërisht për Lotin 2 të kësaj kontrate, Durmishi është intervistuar para disa muajve nga Prokuroria Speciale.

    Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.

    Rruga Prishtinë-Podujevë ka filluar të ndërtohet në korrik të vitit të shkuar dhe punët kanë qenë të ndara në 5 Lote. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë rreth 37 milionë euro./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!