Ministria e Infrastrukturës ka konfirmuar se Nexhat Krasniqi është larguar nga pozita që ai mbante si shef i Prokurimit në këtë ministri.
Në vend të Krasniqit, zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit, në kuadër të MMPHI-së është caktuar Ndriçim Mustafa.
“Më datë: 24.05.2022, z.Ndriçim Mustafa, është caktuar zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit, në kuadër të MMPHI-së, si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për kallxo.com.
Përpos Krasniqit, nga pozita e tij është larguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Izedin Bytyqi, i njëjti për shkak të skadimit të mandatit si u.d i Sekretari të Përgjithshëm të Ministrisë.
Krasniqi edhe në vitin 2021 ishte larguar nga Ministria e Infrastrukturës me vendim të atëkohë të Ministrit Arban Abrashi, por “befasishëm” pas pak ditësh ishte kthyer në punë pas një vendimi kontravers të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Ai ka qenë një kohë të gjatë shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (dikur njihej edhe si Ministria e Transportit dhe Postë Telekomit).
Shkarkimi i Krasniqit nga pozita që mbante në Ministri ishte kërkuar disa herë nga opozita. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj akuzonte ministrin Aliu për bashkëpunim me një njeri që dikur e kishte akuzuar për korrupsion.
Zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, që tani ushtrojnë pozitën e ministrave e kishin quajtur Krasniqin si ‘baba i tenderëve’ e ‘kupola e krimit’.
Ndërkohë nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë treguar se cilat kanë qenë arsyet e largimit të Krasniqit dhe nëse do mbajë ndonjë pozitë tjetër brenda ministrisë ku udhëhoqi divizionin e Prokurimit. /Reporteri.net