Lokacioni për ndërtimin e stadiumit të Kombëtares së Kosovës kishte përplasur jo pak në fund të vitit të kaluar pushtetarët dhe opozitën e tanishme.
Dikush preferon Koreticën e Drenasit e dikush preferon Bërnicën e Prishtinës, kjo varësisht edhe prej përcaktimeve politike që kanë.
Ish-qeveria “Mustafa”, kishte marrë vendim që stadium të ndërtohet në Bënicë, por pasi erdhi qeveria “Haradinaj”, e ndryshoi lokacionin, duke e zhvendosur në fshatin Koreticë të Drenasit.
Dhe pasi LDK është pjesë e qeverisë “Kurti”, gjasat që të ndryshohet lokacioni, pra të kthehet ndërtimi i stadiumit në Bërnicë janë të mëdha.
Dhe kjo bëhet edhe më e mundshme nëse kihet parasysh deklarata e Lumir Abdixhikut nga LDK (tani ministër i Infrastrukturës) i cili kishte thënë në dhjetor të vitit të kaluar se “VV e LDK Gjatë bisedave kemi vendosur që stadiumi i kombëtares së Kosovës të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës dhe jo në Koreticë të Drenasit”.
Ndaj kësaj deklarate kishte reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili i kishte thënë Abdixhikut, “mos e vokë atë ujë”.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar ministren e Kulturës , Rinisë dhe Sporitit, Vlora Dumoshi, e cila ka thënë se ende qeveria e re nuk ka marrë një vendim nëse do ta ndryshojnë lokacionin e vendosur nga ish-qeveria e kaluar për ndërtimin e stadiumit.
“Asnjë vendim nuk është marrë, vendimet janë publike, jemi në fazën e programit që do të prezantohet, në ditët në vazhdim do të shohim , çdo vendim do të jetë do të bëhet transparent. Kudo që bëhet stadium është i nevojshëm për Kosovën”, ka deklaruar Dumoshi për Reporteri.net.
Kosova, aktualisht ka vetëm një stadium i cili i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtarëve e ai është stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që ka një kapacitet prej 13 mijë ulëseve, kapacitet ky që assesi nuk i plotëson kërkesat e shumta të tifozëve. /Reporteri.net/.