×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja e Arsimit tregon nëse konviktet janë bërë gati për karantinë

    Reporteri
    18 Mars 2020 | 13:45

    Konviktet e studentëve janë të gatshme të shfrytëzohen si karantinë. Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se vendimi për këtë mund të merret në secilën minutë.


    Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë për Gazetën Express se janë bërë përgatitjet e duhura, por ende nuk është marrë asnjë vendim për shfrytëzim të konvikteve si karantinë.

    “Në rast se na duhen, konviktet i kemi të gatshme. Nuk është marrë ende asnjë vendim, por mund të merret në minutat, orët, apo ditët në vazhdim. Shumë shpejt do të merret një vendim. Prej neve është kërku nga Komiteti Koordinim dhe Vlerësim të situatës dhe organeve tjera relevante. Çdo gjë që kërkohet në këtë kohë, duhet të ofrohet”, ka thënë Bajrami.

    Ndërkohë, se konviktet janë të gatshme për t’u shndërruar në karantinë e ka konfirmuar për Express edhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.

    “Ne i kemi bërë gati konviktet për çdo eventualitet, nuk është që nuk na kanë thënë me i shiku kapacitetet tona. Konviktet janë gati, kur janë gati për studentë, janë edhe për te gjitha kategoritë tjera”, ka deklaruar Sfishta.

    Ndryshe në bazë të njoftimit që kishte bërë Qendra e studentëve vitin e kaluar, konviktet kanë kapacitet për 4 mijë persona.

    Si objekte të përshtatshme për karantinë janë përmendur edhe qendra për të huajt në Vranidoll dhe Parku i Inovacionit në Prizren.

    Konviktet dhe mensa e studentëve janë mbyllur të enjten e 12 marsit, me vendim të Ministrisë së Arsimit.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare, Qendra e Studentëve ka njoftuar se mensa do të jetë e mbyllur nga dt. 12.03.2020 nga ora 14:00 ndërsa konviktet nga dt. 13.03.2020 deri në ora 14:00, deri më datën 27.03.2020.

    “Qendra e Studentëve në Prishtinë merr vendim për mbylljen e konvikteve dhe mensës së studentëve. Mensa do të jetë e mbyllur nga dt.12.03.2020 nga ora 14:00 ndërsa konviktet nga dt. 13.03.2020 deri në ora 14:00, deri më datën 27.03.2020”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!