×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Ministrja Hajdari paralajmëron masa direkte kundër shtrenjtimit të produkteve bazë

    Reporteri
    13 Korrik 2022 | 20:49

    Ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka thënë sot në një konferencë të përbashkët për media me kryesuesin e Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, se çmimi i bukës është rritur edhe pse të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë që ka rënie prej 7% të çmimeve furnizuese të grurit dhe miellit.

    “Sot në konferencë për media bashkë me kryesuesin e Shoqatës së Mullisëve z. Bashkim Zejnullahu, konfirmuam se kemi furnizim të mjaftueshëm në treg me grurë dhe miell dhe nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të bukës. Në ditët e fundit, çmimi i një buke po ndryshon nga 0.45 cent deri në 0.60 cent në disa furra buke, derisa të dhënat e përditësuara të Doganës së Kosovës, për dallim nga muaji maj 2022, konfirmojnë rënie në 7% të çmimeve furnizuese të grurit dhe miellit”, ka shkruar Hajdari në një status në Facebook.

    Ajo thotë se bazuar në fakte, do të propozohen masa direkte që do të minimizojnë çmimet e produkteve bazë. Për këtë ajo thotë se do të ketë koordinim me Inspektoratin e Tregut, Doganën e Kosovës, ATK-në, AKK-në dhe komunitetin e biznesit.

    “Për më shumë, Grupi Punues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka analizuar çmimet me evidencë nga tregu, për produktet bazë: gruri, mielli, buka, orizi, pastat nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjenike, duke konstatuar se:

    – marzha tregtare e produkteve bazë të shumicës së operatorëve ekonomik, ka ndryshime nga 8% deri në 19.40% varësisht nga produkti;

    -disa operatorë ekonomik tregtojnë me marzhën tregtare nën 5% për produktet bazë.

    Prandaj, bazuar në evidencë, do të propozojmë masa direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë, në koordinim të afërt me Inspektoratin e Tregut në nivel qendror dhe komunal, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komunitetin e Biznesit”, përfundoi ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!