Mohimi i krimeve të Serbisë në Kosovë, do të dënohet

Mohimi i krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë do të kualifikohet si krim, në rast se çohet në fund një nismë ligjore e ndërmarrë të enjten në Qeveri. Vuajtja e burgut është paraparë si formë ndëshkimi.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është sponsor i kësaj politike, për të cilën e ka marrë mbështetjen e kabinetit qeveritar.

“Ditëve të fundit dhe viteve të fundit është një diskurs politik ditor i përdorur edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, por edhe nga të tjerët në Serbi, i cili diskurs bën përpjekje që ta fshehë të vërtetën dhe t’i mohojnë krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë, që në një plan, edhe politik e edhe moral, është një lloj krimi i dyfishtë, prandaj jam i mendimit që ne të marrim një iniciativë ligjore dhe hapa konkretë që në të ardhmen deklarata të tilla, qëndrime të tilla të ndëshkohen përmes ligjit, në raport me individët që i mohojnë krimin dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj para kolegëve të tij në Qeveri. “Në shumicën e vendeve perëndimore, mohimi i krimit dhe i gjenocidit konsiderohet fyerja më e madhe edhe ndaj viktimave, edhe ndaj familjarëve e edhe ndaj kombit ndaj të cilit është ushtruar një krim i tillë”.

Në këtë fillimjavë, kryeministri Ramush Haradinaj e ka shkarkuar Ivan Todosijeviq nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Todosijeviq, gjatë shënimit të 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ka mohuar të ketë pasur masakër në Reçak, si dhe shqiptarët e Kosovës, që luftuan për çlirimin e vendit, i ka quajtur terroristë, shkruan sot Koha Ditore.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar të gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi, për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur”, ka thënë Todosijeviq, gjatë një fjalimi në Zveçan. “Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre për gjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën e ka paraqitur viktimë Todosijeviqin. Ai ka përsëritur atë që ish-ministri kosovar i ka thënë. Sipas presidentit serb, Reçaku është trillim.